Xhafaj bën “paqe” me SPAK. Braho 4 orë para deputetëve, raporton për dosjet e nxehta

Nga Indrit Maraku
16 Korrik 2026, 10:55 | Politikë

“Shumë falemnderit për respektin që keni kësaj radhe për neve”.

Me ndryshimin e drejtuesit të SPAK, ka ndryshuar edhe gjuha e komunikimit mes Fatmir Xhafës, si mbikëqyrës institucional i Kuvendit dhe Prokurorisë së Posaçme. Pasardhësi i Altin Dumanit ka një qasje tjetër. 

“Për SPAK-un, rekomandimet e Kuvendit nuk përbëjnë vetëm elementë të raportimit vjetor, por një mundësi për të vlerësuar praktikat tona”, u shpreh Braho, shkruan A2. 

Marrëdhënia e re dashamirëse u dallua edhe në pyetjen e Xhafës, se si Kuvendi mund të ndihmojë me kompetencat ligjore të SPAK: “Dy vjet më parë, ju nuk e gjykuat të nevojshme të përfshihet në një proces të tillë. A ka nevojë për mbështetje në këtë aspekt me ndryshime ligjore?”.

Braho u përgjigj: “Mendoj ka nevojë për rritjen e pragut prej 50 mijë lekësh për korrupsionin kompetencë e SPAK-ut dhe rritjen e pragut të vlerës së procedurës së prokurorimit kompetencë e SPAK-ut. Duhet të gjykohen nga prokurorët e rretheve. Ka dhe konfuzion mes drafteve të Kodit Penal”.

Demokratja Jorida Tabaku kishte gjetur nëntekste shqetësimi në raportin vjetor të SPAK për vitin 2025. Pas shpjegimeve të Klodian Brahos, edhe Fatmir Xhafaj theksoi se garanti është BE-ja.

“Raporti i kushton hapësirë të pazakontë paralajmërimit për presione politike, për ndryshime të ardhshme ligjore politike. Cilave u frikësoheni ose cilat mund të jenë ato”, pyeti Tabaku.

“Jo presione politike, por retorikë politike dhe i referohet të dyja palëve. Kjo retorikë, nëse nuk është e shoqëruar me nisma ligjore, nuk është rrezik për institucionin”, theksoi Braho.

Xhafaj u shpreh: “Nuk ka asnjë ligj që ka të bëjë me drejtësinë që mund të kalojë në Parlamentin shqiptar pa u certifikuar nga BE”.

Për rreth 4 orë, Braho u pyet nga deputetët për çështjet e bujshme, nga krimet zgjedhore tek Aruba dhe Albanian Files. Demokratët insistuan lidhur me përfshirjen apo jo të Kryeministrit Rama, por kreu i SPAK i la të pakënaqur, duke përsëritur se nuk flet për çështje konkrete nën hetim.

“Më vjen mirë ndonjëherë që SPAK është i papëlqyer nga të dyja krahët, sepse do të thotë që institucioni është në rrugën e duhur”, tha Braho. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos