Zgjedhjet për Tiranën më 9 nëntor, reagon Veliaj: Dekreti presidencial është antikushtetues, mandati nuk është personal

Nga A2 CNN
2 Tetor 2025, 15:52 | Politikë

Zgjedhjet për Tiranën më 9 nëntor, reagon Veliaj: Dekreti

Erjon Veliaj ka reaguar pas dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli datën 9 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në 6 bashki të vendit përfshirë edhe Tiranën. Në reagimin e tij nga burgu, ish-kryebashkiaku e cilëson antikushtetues dekretin e presidentit. Sipas tij mandati i kryebashkiakut nuk është mandat personal, por shprehje e sovranitetit të qytetarëve.

“Dekreti presidencial është contra Constitutionem (antikushtetues). Mandati i Kryetarit të Bashkisë nuk është mandat personal, por shprehje e sovranitetit të qytetarëve të Tiranës”, shprehet Veliaj.

Ai kërkon nga Gjykata Kushtetuese mbrojtjen e menjëhershme të demokracisë përfaqësuese dhe shfuqizimin e dekretit presidencial për zgjedhje në Tiranë.

“Duke qenë se ditën e djeshme, rreth orës 16:00, Presidenti i Republikës, në shkelje flagrante të garancive kushtetuese që kërkuesi gëzon ndaj shkarkimit si i zgjedhur vendor, sipas të cilave, në rast se Kryetari Bashkisë ndaj të cilit është marrë një vendim shkarkimi, e ankimon vendimin e shkarkimit brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese, vendimi për shkarkimin pezullohet dhe Presidenti i Republikës mund ta caktojë datën e zgjedhjeve në njësinë vendore përkatëse vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit brenda 15 ditëve, ose në rastin e lënies në fuqi të vendimit të Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese, me urgjencë, paraqesim shtimin e subjektit të interesuar dhe objektit të kërkesës së depozituar në Gjykatën Kushtetuese, në të cilin kundërshtojmë shkarkimin nga detyra e Kryetarit të Bashkisë”, thuhet në ankimimin e Veliajt.

Një ditë më parë kreu i shtetit dekretoi datën 9 nëntor 2025 për mbajtjen e zgjedhjeve të pjesshme lokale.

Në komisionin e ligjeve, demokratët deklaruan se dekreti i zgjedhjeve është i paligjshëm dhe s’ka vend për nxitim.

  (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos