“Shqipëria në 3 dekada ka dëshmuar se në këtë rrugë ka ecur gabim. Rruga e vetme për të ndryshuar historinë në këtë vend kalon nëpërmjet ideve dhe nëpërmjet garës. Karriget, tymueset, djegia e gomave, bllokimi i rrugëve, i ka parë Shqipëria gjatë tranzicionit dhe kjo ka bërë që kanë mbetur 2,5 milionë”.
Kështu u shpreh në Debat nga Alba Alishani në A2 CNN Adriatik Lapaj, Lëvizja Shqipëria Bëhet, teksa komentoi zhvillimet më të fundit politike në vend.
Më tej, ai tha që Shqipëria të fillojë ndryshimin e madh, duhet të fillojë t’u shpallë luftë ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008.
“Hapja e garës do të sillte flukse të reja, konkurrencë, njerëz të rinj, thyerje të monopoleve, prishje të kalcifikimeve, do të ndryshonin raportet.
Ata vulosin dhe firmosin, këta të opozitës ngrenë karriget. Çfarë mund të arrihet? Asgjë ligjërisht. Shteti funksionon me dispozita, me jurisprudencë. Që ky vend të fillojë ndryshimin e madh, duhet të fillojë t’i shpallë luftë ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008”, tha Adriatik Lapaj në A2 CNN.
Lapaj zbuloi më tej se cili do të jetë hapi i radhës që do të ndërmarrë Lëvizja Shqipëria Bëhet. “Në këtë vend po kërkohet të mbahet me procedurë një sistem i cili nuk i shërben demokratizimit dhe ndryshimit të këtij vendi sepse nuk po shkohet te thelbi. 1. Hapja e garës, ky është një kostum i qepur për Edi Ramën. Hapja e listave që qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin më të mirët. Një pjesë e asaj lufte sot bëhet kush do të jetë nesër deputet. 2. Ligji për referendumet. Në ditët në vazhdim ne do të hedhim hapa të rëndësishëm. Ne po shkruajmë, do të çojmë propozime konkrete në parlament për ndryshimin e kodit zgjedhor, votës së emigrantëve dhe hapjes së listave. Nëse këta nuk e marrin në konsideratë, do të mbledhim 20 mijë firma për këto propozime dhe do t’i çojmë si iniciativa te qytetarët. Këto janë hapësirat që kemi në dorë nga ligji. Nëse këta nuk reflektojnë, ne do të vazhdojmë të punojmë me qytetarët për t’i bindur se ndryshimi do të vijë nëpërmjet bashkimit të një elite të re”, tha Lapaj në A2 CNN. (A2 Televizion)