Pas protestave në Vlorë dhe në Tiranë, Edi Rama, në mbledhjen e grupit të PS-së, i doli në mbrojtje investimit në Zvërnec. Kryeministri tha se nuk ka ende një projekt përfundimtar, por zgjodhi të ndajë disa detaje.
“Projekti akoma nuk është dorëzuar, studimi mjedisor akoma nuk është bërë. Por unë po them që, me ç’më kanë parë sytë, nga çfarë po bëjnë ata njerëz, është diçka që në Europë dhe në Mesdhe nuk është parë. Laguna është në pikë të hallit, do të pastrohet. Do të shtohen breza të tërë pemësh, rëre dhe ishujsh të vegjël. Një projekt i jashtëzakonshëm si ky, ku partnerë të jashtëzakonshëm janë bërë bashkë për të investuar 4 miliardë euro”, tha Rama.
Fillimisht, Kryeministri e zhveshi shtetin nga përfshirja direkte në këtë projekt, duke e cilësuar atë si një marrëdhënie mes investitorëve dhe pronarëve të tokës private.
“Për projektin e Zvërnecit duhet të shikoni pronat dhe pronarët, pasi ne nuk kemi tokë shtet aty dhe copëzat që mund të jenë shtet janë krejtësisht të papërfillshme për ambicien tuaj. Kështu që merruni me pronarët. Projekti do të zhvillohet vetëm në prona private me titull pronësie në Kadastër dhe në asnjë pronë tjetër të kontestuar apo që mund të rezultojë për momentin tokë shtet. Është e shkruar. Të gjitha rezultojnë në pronësi të shoqërisë ‘Albania Land Development’, ndërsa struktura e pronësisë së saj ka si ortak të vetëm shoqërinë ‘Sazan Holding’”, deklaroi ai.
Por çfarë roli ka shteti shqiptar në këtë investim, ku është përfshirë edhe dhëndri i Presidentit amerikan Donald Trump?
“Projekti ka nisur si interesim nga ana e investitorëve në vitin 2023 dhe ka nisur si një interesim bashkë me Sazanin. Projekti nuk u miratua në formën e paraqitur fillimisht. Në mars të vitit 2026 është paraqitur një projekt krejt tjetër dhe Këshilli Kombëtar i Territorit nuk e ka miratuar atë tërësisht siç e ka paraqitur subjekti zhvillues, por ka vendosur përsëri kushte të shkruara. Leja e masterplanit ka përcaktuar zonën zhvillimore dhe parametrat teknikë e urbanistikë”, tha Rama.
Deri më tani, sipas Kryeministrit, investitorët kanë marrë leje vetëm për ndërtimin e infrastrukturës ndihmëse.
“Leja e infrastrukturës, e dhënë në prill 2026, është për realizimin e rrugëkalimeve të nevojshme për vendosjen e pajisjeve të përkohshme që do të përdoren për studimin e biodiversitetit, ujit dhe lagunës. Rrethimi i pronës është një e drejtë e çdo pronari kur merr lejen e zhvillimit.”
Në emër të vizionit të tij për një turizëm elitar, Rama pranoi se qeveria ka ndërhyrë në legjislacion për të ndihmuar zhvillimin e projektit.
“Është e vërtetë që në vitin 2024 kemi bërë një amendim të ligjit për të krijuar një ekuilibër të drejtë mes potencialit për zhvillim të territoreve dhe mbrojtjes së tyre, sepse ligji ekzistues nuk merrte parasysh realitetet e tranzicionit.”
Një tjetër shqetësim i ambientalistëve pas këtyre ndryshimeve ligjore lidhet me dëmtimin e mundshëm të ekosistemit në lagunë apo në lumin Vjosa.
“Nuk po ndërtohet në Vjosë, nuk po shkatërrohet grykëderdhja e Vjosës. Pishë-Poroja, për të cilën flasim, nuk është një zonë e mbrojtur e kategorisë së parë apo të dytë, por klasifikohet si kategori e pestë. Kategoritë 5 dhe 6 janë ndërtuar mbi konceptin e bashkëjetesës së natyrës me aktivitetin ekonomik, social dhe turistik. Prandaj, miqtë e mi, ne nuk kemi bërë asnjë heqje nga asgjë. Pishë-Poroja ka qenë peizazh i mbrojtur dhe mbetet peizazh i mbrojtur. Laguna nuk preket, është e shkruar dhe zhvillimi nuk mund të përfshijë marinë. Kishte marinë në versionin e parë, madje edhe në të dytin, por u hoq. Për marinën është kërkuar që të hartohet një projekt i detajuar vetëm pasi të jetë shqyrtuar projekti në tërësi.”
Për situatën e krijuar, Edi Rama nuk e gjen fajin te mungesa e transparencës së procesit, por hedh dyshime mbi konkurrencën, sidomos nga fqinjët jugorë.
“Nuk e duan. Kjo është konkurrencë. Si mund të jenë gazetat e Greqisë aleatët tuaj në mbrojtjen e mjedisit të Shqipërisë? Për herë të parë dje dëgjova se aty paska një popullsi homogjene greke. Këtë nuk e kisha dëgjuar ndonjëherë, ndoshta sepse jam injorant dhe nuk i di shumë gjëra. U mahnita nga deklarata e Ministrisë së Jashtme të Greqisë, sepse ishte një akt dhune pa diskutim, por jo një akt dhune shtetërore, siç ndodh me shqiptarët në burgjet e Greqisë ose siç ka ndodhur më parë me shqiptarë edhe në rrugët e Greqisë.”
Shefi i qeverisë shqiptare pranoi se në Vlorë kishte parë një situatë ku Policia e Shtetit nuk kishte garantuar lirinë e qytetarëve.
“Do të më dukej e tmerrshme që disa roje private sigurie, në sytë e Policisë së Shtetit, pas një gardhi me tela me gjemba, të ulërinin si kafshë dhe të merrnin nga jashtë brenda një njeri në të drejtën e vet, ta tërhiqnin zvarrë nëpër plazhin e rrethuar dhe më pas Policia të thoshte se ai u fut vetë në pronën private. Duhej t’i kishte arrestuar aty për aty ata që e morën zvarrë protestuesin.”
Pasi paralajmëroi shkarkimin e drejtorit të Policisë së Vlorës dhe heqjen e licencës së kompanisë private të sigurisë, Kryeministri u kërkoi protestuesve të mendojnë përpara se të kundërshtojnë një projekt që, sipas tij, do ta vendosë Shqipërinë në hartën e turizmit elitar. (A2 Televizion)