Për shumë qytetarë, planifikimi apo shpërndarja e buxhetit të Bashkisë së qytetit, mbetet ende një term dhe terren i panjohur dhe pikërisht për këtë, të rinjtë e qendrës "Aktiv për Durrësin" kanë realizuar një ekspozitë, duke e kthyer në art buxhetin dhe shpërndarjen e tij.
Ekspozita “Art me Buxhetin” solli një interpretim vizual të buxhetit të Bashkisë Durrës për vitet 2024-2026, duke e bërë informacionin më të qartë dhe të kapshëm për qytetarët, shkruan A2.
Përmes ilustrimeve dhe veprave artistike, të rinjtë kanë përdorur ironinë dhe sarkazmën për të reflektuar mbi mënyrën se si shpërndahen fondet publike. Disa nga veprat më domethënëse paraqesin buxhetin si një tortë të madhe, tjetra fokusonte procesin jo efikas të rindërtimit, e të tjera ilustronin se si ndahet mes sektorëve të ndryshëm.
Romir Llukaçi, në rolin e mentorit të artit, tregon detajet e këtij realizimi dhe intuitën e të rinjve ndaj qeverisjes lokale: “Ishte një sfidë sepse ishte hera e parë të shprehësh shifrat ekzakte në art”.
Në këtë aktivitet, krahas artistëve, banorët e zonave periferike të qytetit, ndanë opinionet e tyre mbi investimet publike dhe transparencën financiare. Shumica e tyre shprehën se ka ende vend për përmirësim, duke theksuar nevojën për më shumë investime në infrastrukturë, shërbime publike dhe përmirësimin e jetës së përditshme.
Ekspozita synon jo vetëm të ndërgjegjësojë publikun, por edhe të nxisë pjesëmarrjen qytetare në vendimmarrje.
Ky është një shembull se si arti mund të shërbejë si një mjet kritik dhe reflektues, duke e bërë politikën lokale më të prekshme për qytetarët. (A2 Televizion)