14 vjeçari nga Durrësi i prekur nga forma e rendë e Meningitit kalon rrezikun për jetën dhe kthehet ne shtëpi. Shefja e Shërbimit Infektiv Najada Çomo tregon për A2 CNN se pas ditëve shumë të vështira për familjen e tij dhe ekipin e mjekëve, adoleshenti e kaloi sëmundjen.
Nuk ka pasoja në shëndet dhe as rrezik për të tjerët. Në shërbimin infektiv në QSUT aktualisht nuk ka raste të tjera me Neseria Meningitis. Shefja e këtij shërbimi thotë se popullata nuk duhet të alarmohet e as të vrapoje pas vaksinës, pasi rastet në vendin tonë janë sporadike. Por a e rekomandon Najada Çmo aplikimin e vaksinës kundër meningjitit për popullatën e shëndoshë?
“Nuk ka vend për alarm dhe as të vraponi për t'u vaksinuar. Por gjithkush është i lire të konsultohet me mjekun për këtë vaksinë. Tek adultët ne e rekomandojmë vetëm tek ata që kanë imunitet të dobët apo që duan të udhëtojnë drejt vendeve të Arabisë”, tha Çomo për A2 CNN.
Vaksina kundër formave më të rënda të meningjitit është rekomanduar nga Instituti i Shëndetit Publik për hyrjen në kalendarin e detyrueshëm. Numri një i këtij institucioni, Eugena Tomini e ftuar në A2 thotë se ajo pritet të miratohet brenda 5 viteve të ardhshme, ndërsa sqaron se përse iu dha përparësi aplikimit të vaksinës kundër kancerit të qafës së mitrës.
Shfaqja e rasteve me meningjit në qytetin e Durrësit, një në muajin dhjetor ku humbi jetën një 17 vjeçare, dhe rasti i fundit i 14-vjeçarit alarmoi komunitetin e prindërve në mënyrë të veçantë.
Por ISHP thekson se nuk ka vatra të meningjitit në Durrës apo qytete të tjera dhe se rastet e prekura nuk kishin lidhje me njëri-tjetrin. (A2 Televizion)