“E shfrytëzuam emigrimin për t'u rikthyer, dhe jo për të qëndruar përgjithmonë”. Në këtë mënyrë e ka cilësuar aventurën e tij në Angli 30-vjeçari Enea Maxhari nga Pogradeci.
Sado që mund të duket e çuditshme, fakt është që Enea ka lënë prej disa muajsh Anglinë, ku kishte aktivitetin e tij si berber, për ta ushtruar këtë profesion në Pogradec.
Arsyet e këtij vendimi, në një kohë kur ende shumë të rinj synojnë të shkojnë në Angli, i shpjegon vetë Enea. “Kam qëndruar 6 vite në Angli dhe tani kam 6 muaj që jam rikthyer. Arsyeja kryesore është se atje kishte vetëm punë dhe pa të afërmit, familjen dhe shoqërinë”, kjo ishte arsyeja.
Për të gjithë ata që ndoshta po e mendojnë rikthimin nga emigrimi, Enea jep një mesazh jo emocional, por të përshtatur me realitetin dhe kushtet aktuale në vendin tonë. “Nëse ne punojmë në vend të huaj dhe jemi të zotët, ku ka më mirë se të bëhemi të zotët në vendin tonë. Megjithatë, edhe këtu e kam parë që rrogat janë të ulëta, por e them me siguri që këtu mund të jetoni më mirë se në një vend të huaj”, thotë Enea. (A2 Televizion)