Afro 70% e popullsisë vuan nga sindroma e “Syrit të thatë”. Është një sëmundje kronike që ndikon në cilësinë e jetës dhe kërkon trajtim. Sëmundja e “Syrit të Thatë shfaqet kryesisht pas moshës 35-40 vjeç.
“Pacienti paraqitet me ankesat për tharje të syrit, skuqje, djegie, sindromin e gërvishtjes sikur ka një trup të huaj. Ka bezdi ndaj dritës, nuk duron dot dritat dhe nuk bën dot një jetë të mirë përsa i përket punëve që mund të ketë me orë të zgjatura para kompjuterit.”
Mjekët oftamologë tregojnë se në shfaqjen e kësaj sindrome ndikon Reumatizma, artriti apo diabeti. Ndërkohë faktorët e jashtëm janë ndotja e ajrit dhe qëndrimi për kohë të gjatë para pajisjeve elektronike.
“Çdo pacient që ka sëmundje, sidomos të sëmurët mbi 50 vjeç që kanë sëmundje kronike të tjera bashkëshoqëruese gjithmonë do të ankohet edhe për syrin e thatë. Pra ne përveç terapisë që e japim për sëmundjen primare, sidomos tek të sëmurët me diabet është shumë e përhapur sindroma e syrit të thatë, atëherë ky pacient do të ketë si shoqërues edhe trajtimin për syrin e thatë."
Mjekët këshillojnë pacientët të mos neglizhojnë shenjat e kësaj sindrome pasi rëndojnë problemet me syrin dhe shikimin. Ndërsa rekomandojnë që medikamentet të aplikohen vetëm pas diagnostikimit nga mjeku. (A2 Televizion)