27 mijë maturantë testuan njohuritë e tyre për Gjuhën e Huaj, por si përherë, Matura Shtetërore u cenua nga nxjerrja e tezës.
40 minuta pas nisjes së provimit, teza e Anglishtes bëri xhiro në rrjetet sociale. Siç duket edhe nga fotot e publikuara, nxënësi apo administratori kanë pasur të gjithë kohën e mundshme për të fotografuar, në ambientet e provimit, faqe për faqe, të dy variantet e tezës së Anglishtes dhe për t’i hedhur më pas në rrjetet sociale.
Dalja e tezës kur nxënësit ndodheshin në provim dëshmon se standardet e Maturës nuk janë respektuar nga të gjithë, pasi në ambientet e provimit janë lejuar telefona dhe bllokuesit e valëve nuk kanë funksionuar. Për maturantët e gjimnazeve të Tiranës, ky është një fenomen i zakonshëm tashmë, por tërësisht i padrejtë. Ndërsa në lidhje me testin e Anglishtes, ata thonë se nuk ishte i vështirë dhe se e zgjidhën brenda kohës së përcaktuar, shkruan A2 CNN.
Ndërkaq, Ministria e Arsimit, në reagimin e saj si çdo vit pas daljes së tezës, ka deklaruar se standardi i Maturës Shtetërore nuk është cenuar.
Pavarësisht zhurmës dhe shqetësimit që krijoi nxjerrja e tezës, maturantët mbyllën provimin e parë dhe pas shtatë ditësh do t’i nënshtrohen testit të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë. (A2 Televizion)