Shpesh shumë qytetarë mund të mos kenë shenja të dëmtimit të veshkave dhe shoqëruar kjo me rezultate të mira të analizave, i bënë ata të sigurtë se shëndeti i veshkave të tyre është i duhuri. Mirëpo një kontroll me i detajuar siç është ekografia, mund të surprizojë në rezultatet finale. Në ekzaminime të tilla ka rezultuar prania e kisteve, tumoreve e madje e edhe prania e kancerit në veshka. E ftuar në studion e emisionit Diagnozë, mjekja nefrologe Prof.Asoc Marsida Duli, nga Premium Clinic, tregoi rendësinë e ekografisë, edhe kur analizat dalin mirë apo pacientët nuk kanë shenja dalluese të sëmundje të veshkave.
Ekografia është një nga metodat më të mira diagnostikuese: pa rrezatim, pa efekte anësore dhe jep një vlerësim të qartë të morfologjisë së veshkës. Rekomandohet të realizohet nga një mjek specialist nefrolog, pasi ai lidh me saktësi pamjen morfologjike me shenjat klinike të sëmundjeve të veshkës. Gjatë një ekografie rutine, mund të zbulohen tumore, madje edhe kanceri i veshkës, të cilët shpesh nuk japin asnjë simptomë. Mund të dallohen edhe kistet në veshkë apo sëmundje të trashëguara si polikistoza renale. Në shumicën e këtyre rasteve, analizat e gjakut dalin normale dhe pacienti nuk ka asnjë shenjë” – tha mjekja nefrologe.
Shfaqja e një prej varianteve të anemisë lidhet edhe me mirëfunksionimin e veshkave. Shpesh një anemi e zgjatur dhe mungesë përmirësimi të shëndetit pas trajtimeve me ilaçe, mund të jetë shkak i dëmtimit të veshkës dhe pranisë së një sëmundje në këtë organ. Ndaj e rendësishme është që të kryen një sërë analizash.
“Anemia mund të jetë një nga shenjat e hershme dhe të heshtura të dëmtimit të veshkës. Ajo ndodh sepse hormoni eritropoetin, që nxit palcën për të prodhuar eritrocite (qelizat e kuqe të gjakut), prodhohet në veshkë. Kur veshka dëmtohet, prodhimi i eritropoetinës bie dhe shfaqet anemia. Pacientët që vuajnë nga anemi rezistente ndaj trajtimit me hekur, ose që kanë pasur gjithmonë anemi pa shkak të qartë, duhet të kontrollojnë funksionin e veshkave përmes analizave si kreatinemia, azotemia dhe acid urik”- shpjegoi nefrologia Marsida Duli.
Mund t’ju duket e pabesueshme por nieli i ulët i Vitaminës D në gjak, mund të jetë si pasojë e problemeve të veshkave. Përveç mëlçisë, veshka është organi tjetër e cila bën të mundur aktivizimin definitiv të vitaminës D. Nëse jeni mjaftueshëm të ekspozuar në diell dhe merrni suplement për rritjen e nivelit të kësaj vitamin dhe nuk shihni rezultat, atëherë një vizitë të mjeku nefrolog është i domosdoshëm.
”Vitamina D që përthithet nga lëkura apo merret me ushqim, aktivizohet fillimisht në mëlçi dhe më pas në formën e saj përfundimtare – 1.25 hidroksi vitamin D – në veshkë. Dëmtimi i veshkës ndikon drejtpërdrejt në këtë proces dhe mund të çojë në mungesë të vitaminës D, edhe në faza shumë të hershme ku nuk ka simptoma të tjera. Pra, mungesa e vitaminës D në analizat e gjakut duhet të ngrejë dyshimin për probleme të mundshme në funksionin e veshkave” – shtoi ndër të tjera mjekja nefrologe.
Emisioni Diagnozë, nga moderatorja dhe autorja Freskida Miloti, vjen për teleshikuesit e A2 CNN çdo të shtunë në orën 18:15, me tematika të ndryshme dhe mjaft të rëndësishme për shëndetin. Ritransmetimi i emisionit është çdo të diel po në orën 18:15. Qëndroni të informuar nga mjekët më profesionistë që janë pjesë e emisioneve tona, për një shëndet më të mirë. (A2 Televizion)