Dimri po del, gripi mbetet. Vazhdojnë virozat, në pranverë shtohen edhe alergjitë

Nga Ornela Joti
10 Mars 2025, 15:18 | Sociale

Dimri zyrtarisht ka ikur, por gripi ende jo. Infeksionet respiratore vijojnë të jenë në qarkullim, duke shkaktuar fluks pacientësh, sidomos në moshat pediatrike, shkruan A2 CNN.

Në qendrat shëndetësore, numri i pacientëve nuk është si në muajt janar-shkurt, kur u shënua piku i epidemisë së gripit. Por gjithsesi, mjekët thonë se vizitat mbeten të larta, pasi sezoni i gripit nuk është mbyllur.

Krahas gripit, që këtë vit ishte më agresiv, në qarkullim ishin edhe infeksione të tjera, madje edhe viroza që shpesh i takojmë në stinën e verës. Mjekët pranë qendrave shëndetësore thonë se nuk munguan as rastet me meningjit te fëmijët, të cilat sipas tyre u kaluan pa probleme serioze.

Sezoni i gripit zgjat deri në fund të marsit. Ndërsa me fillimin e pranverës dhe çeljen e luleve, mjekët presin shtimin e rasteve nga alergjitë e stinës, të cilat në Tiranë janë mjaft të shtuara në të gjitha grupmoshat. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos