Mes dëshirës dhe pamundësisë, të rinjtë duan pavarësi, kushtet socio-ekonomike i pengojnë

Nga Elsa Boshku
9 Mars 2025, 13:58 | Sociale

Për shumë të rinj, të jetuarit me prindërit pas moshës madhore nuk ndodh më për shkak të traditës, por si detyrim nga mundësitë ekonomike e sociale. Sipas sociologes Eris Dhamo modeli që po ndjekin prindërit për të edukuar të rinjtë më ndjenjën e përgjegjësisë, ka mangësi, shkruan A2 CNN.

“Pavarësia nuk është vetëm liri, pavarësia mbi te gjitha është përgjegjshmëri. Që sot të jetosh në mënyrë të pavarur do të thotë të marrësh përsipër përgjegjësi. A i kemi arsimuar, a i kemi edukuar ne këta të rinj që sot të përballen me vështirësitë? Dinë këta të menaxhojnë kohën, aftësitë, të menaxhojnë mundësitë që ata kanë, të menaxhojnë paratë që fitojnë? Dinë ata të vendosin prioritete?”, thotë sociologia.

Por pavarësia ka vështirësi dhe kosto. Faktorët ekonomikë janë po aq të rëndësishëm sa ato  socialë në këtë proces. Eriola Hoxha, eksperte ekonomie liston një sërë sfidash më të cilat do të duhet të përballet një i ri në Shqipëri, për të pasur pavarësi ekonomike.

“Pamundësia financiare shpesh ka bërë që të stepen për të ndërmarrë këtë hap në jetën e tyre. Të rinjtë dhe të rejat që përballen çdo ditë me një kosto qiraje të lartë, me vende pune që janë kryesisht të pasigurta dhe me pagaqë shpesh nuk pësojnë rritje reale kryesisht në sektorin privat.

Kjo i bën ata të varur financiarisht nga prindërit, duke i konsideruar si burimin kryesor i të ardhurave për të përballuar shpenzimet mujore”, thotë ekspertja e ekonomisë, Eriola Hoxha.

Sipas të dhënave të EUROSTAT, gati 70 për qind e të rinjve nga 15 deri në 29 vjeç jetojnë ende me prindërit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos