Doktoreshë Brunilda Shiroka, mjeke familje, ka vënë theksin në emisionin "Diagnozë" në A2 CNN mbi rëndësinë e kontrollit mjekësor pas festave të fundvitit.
Ajo tha se pas festave do duhet treguar një kujdes i shtuar për shëndetit, duke qenë se gjatë kësaj periudhë është abuzuar apo tepruar paksa me ushqimin dhe në një kohë kur priremi për më pak aktivitet fizik. Në një intervistë me Freskida Milotin, doktoresha u ndal më tepër edhe te grupet e riskut.
“Pa diskutim! Tavolinat e tepruara, po jo edhe të tepruara. Ushqimi i tejkaluar në vakte jo normale, siç është konsumi i darkës, i darkës së natës së Vitit të Ri, në shumë kategori të popullatës, dhe sidomos në subjektet që vuajnë nga sëmundje të tjera bashkëshoqëruese, siç është hipertensioni, diabeti, apo sëmundjet kronike të mëlçisë, mund të shoqërohet me problematika shëndetësore, të cilat duhen kontrolluar dhe ndoshta duhen trajtuar menjëherë dhe ajo që këshillojmë ne në fillim viti është pikërisht kontrolli i kësaj kategorie të popullatës. Jo vetëm konsumimi i sheqerit por konsumimi i tepërt i alkoolit, i cili është përsëri traditë e tryezës së festës, por dhe i ditëve që pasojnë festën, ka efektin e vetë në sëmundjet e kardiovaskulare, ka efektin e vetë në sëmundjet të aparatit tretës dhe në sëmundjet e heparit”, tha doktoresha.
Mirëpo, për fat të mirë, për kontrollin pas festave, është vënë re një ndërgjegjësim nga ana e qytetarëve.
“Freskida Miloti: Janë të ndërgjegjësuar pacientët që të vijnë dhe të planifikojnë atë ç’ka është më e mira për ta, për shëndetin e tyre?
Dr.Brunilda Shiroka: Pjesa më e madhe po. Ka arritur të krijohet një ndërgjegjësim, për t’u kujdesur, qoftë edhe në kushtet e shëndetit. Dhe kjo është më e mira.
Freskida Miloti: Po të rinjtë doktoresha?
Dr.Brunilda Shiroka: Për të rinjtë, mosha krijon hapësira për t'i lejuar vetes diçka më shumë.
Padyshim që festojnë shumë, përdorin shumë pije alkoolike, janë ndoshta kjo kategoria më e shumtë që shfaqet me këto problematikat e intoksikavioneve alimentare. Qoftë dhe nga përdorimi i shtuar i alkoolit, qoftë dhe nga përdorimi i ushqimeve jo të mirë kontrolluara, por që është dhe kategoria që ndikon dhe më herët dhe më mirë nga ndërhyrja e mjekut, për shkak se shëndeti i tyre nuk ka asgjë që mund ta komprometojë situatën”.
Doktoresha: Kujdes me ruajtjen e ushqimit
Doktoresha Brunilda Shiroka vuri theksin edhe tek ruajtja e ushqimit. Të gjithëve na ndodh që në rast se nuk konsumojmë një ushqim gjatë natës së ndërrimit të viteve, e lëmë për të nesërmen, apo ndoshta edhe më vonë, siç mund të jetë bakllavaja. Për këtë arsye, ajo tregon se në këtë drejtim do duhet pasur shumë kujdes.
“Duke pasur bollëk në gatim, në mbushjen e tryezës, jo gjithçka mund të konsumohet, pra ajo që mbetet për ditën tjetër, dhe për ditën tjetër. Pra konsumi i një ushqimi që tashmë nuk është vetëm i dobishëm po është i pasigurt. Ruajta e ushqimit për ditën tjetër, apo për më tutje, përveç problemit të mbingarkesës ushqimore, bart me vete dhe një problem tjetër që ky ushqim mund të jetë i kontaminuar. Në ditët e para të vitit të ri janë pikërisht intoksikacionet alimentare. Pra jo vetëm nga konsumi i shtuar i ushqimeve, po dhe nga konsumi tashmë i ushqimeve të pakontrolluara. Shumë njerëz drejtohen pranë urgjencave, drejtohen pranë qendrave shëndetësore, për të marrë, të themi, qoftë një ndihmë të parë shëndetësore, por dhe një mënyrë trajtimi për ta kaluar këtë situatë. Ndaj dhe këshilla është sa më pak ushqime, më të shëndetshme, dhe ajo që konsumohet sot, nuk mbetet për nesër”, tha doktoresha.
Doktoreshë Brunilda Shiroka: Disa analiza gjaku që duhet të bëni pas festave
Brunilda Shiroka tregon edhe disa nga analizat e gjakut që duhet të kryhen për të parë normat. Në këtë drejtim, ajo ka një këshillë që u drejtohet kryesisht pacientëve që kanë një sëmundje kronike, si diabetikët, hipertensivët etj.
“Ajo që dominon, mbi 80% e pacientëve kanë alternim të metabolizmit të yndyrave. Pra kanë vlera të trigliceriteve të yndyrave shumë të shtuara nga norma, të cilat janë po ashtu të kalueshme për një periudhë tjetër një ose dy mujore, nëse pacienti bën një jetë të shëndetshme, qoftë nga aktiviteti fizik, qoftë nga ushqyerja e kontrolluar. Pra këto janë të parat. Shohim hiperglicemin, të cilat janë pasojë e konsumit të shtuar të sheqernave. Pra këto dy elemente janë të parat dhe ndonjëherë kur konsumi i alkoolit, të themi, është shumë i shtuar, kemi dhe alternime të lehta të transaminanzave, pra të enzimave hepatike. Të cilat tregojnë që, ky konsum i shtuar ka cenuar paksa, funksionin hepatik”, u shpreh doktoresha.
Vitamina pa recetë? Doktoresha jep disa këshilla të vlefshme
Duke qenë se në këtë periudhë pas festave, shtohet përdorimi i vitaminave pa recetën e mjekut, doktoreshë Brunilda Shiroka dha në “Diagnozë” disa këshilla të rëndësishme.
“Vitaminat janë kategori farmaceutike që kanë vlerën e vetë në organizëm, në të gjitha proceset metabolike, pa diskutim nëse përdoren në sasinë e duhur, në kohën e duhur, në subjektin e duhur, kanë të gjithë pozitivitetin e tyre të shfaqur për atë që japin në organizëm. Po po ashtu nëse përdoren në mënyrë të pakontrolluar, pra nëse pacienti duke dëgjuar një shok, një koleg, një mik, duke parë efektin që ka dhënë te ai një X vitaminë, fjala vjen vitamina B12, që jo rrallë përdoret në popullatë. Sidomos pas festave ndodh kjo, nga lodhja e atmosferës festive, për të marrë energjinë, I drejtohemi për të marrë këtë energji por ne nuk e dimë se çfarë bën ajo në organizëm, nëse përdoret në mënyrë të pakontrolluar. Nëse përdoret në një organizëm kur vlerat e saj janë në parametra të normës”, përfundoi doktoresha në A2 CNN. (A2 Televizion)