Pas festave të fundvitit, janari shënon rritje të infeksioneve respiratore në popullatë. Mbi 11 mijë raste në javë me grip, Covid dhe viroza të tjera raportohen nga Instituti i Shëndetit Publik.
Drejtoresha e ISHP, Eugena Tomini, nuk përjashton mundësinë që piku i infeksioneve respiratorë të arrihet më herët se vitet e tjera për shkak të qarkullimit të shumë viruseve njëherësh.
Për epidemiologët edhe ky dimër pritet të jetë i ngarkuar për shkak të qarkullimit të shumë infeksioneve respiratore. Ndërkohë që një nën variant i Omicion-it, JN1 po kthehet në shqetësim për mbarë botën.
Referuar situatës në Amerikë, por edhe në disa shtete të Europës, Tomini tregon se ky varint i Covid-it ka transmetueshmëri të lartë si dhe po rriten shtrimet në spital edhe pse zyrtarisht nuk është konfirmuar në vendin tonë, grumbullimet dhe lëvizjet për festa nuk përjashtojnë mundësinë e pranisë së tije dhe në vendin tonë.
Shenjat e varintit JN1 ngatërrohen lehtësisht me gripin dhe virozat respiratore.
Sipas epidemiologëve mjekët e qendrave shëndetësore duhet të jenë vigjilent për diferencimin e viruseve në këtë periudhë përmes edhe testimit të shpejtë për Covid. Ndërsa qytetarët e prekur nga gripi, Covid-i apo dhe viroza të tjera duhet të reduktojnë kontaktet dhe lëvizjet për të mos përhapur infeksionet. (A2 Televizion)