Prej më shumëse gjysmë shekulli Rifati, rrobaqepësi I njohur në Shkodër çdo 14 shkurt përgatit buqetën me trëndafila për bashkëshorten e tij Shpresën, me të cilën numëron 50 vjet lidhje në martesë. Ndërsa e shoqja e uron në këtë ditë edhe për ditëlindjen e tij të 85-të.
“Janë për ty për Shën Valentinin”.
“Shumë faleminderit, edhe ty të uroj gëzuar 85-vjetorin. Jetë e shëndet dhe gjithë të mirat.”
Një çift fisnik me kulturë dhe finesë shkodrane, që edhe profesionin e kanë të përbashkët. Një nga çiftet e rralla që gjithçka në jetë e kanë bërë bashkë dhe jo vetëm kaq por kanë ruajtur lumturinë dhe dashurinë për njëri-tjetrin, sikur të ishin të rinj.
“Unë jam i ri derisa të mbyll sytë”, thotë Rifati. Ndërsa Shpresa tregon se si ja shtronte çdo 14 shkurt petalet e trëndafilave.
“Këto petale i kam mbajt gjithmonë në shtëpi. Se gjithmonë më çdo 14 shkurt, pavarësisht se ishte dita e të dashuruarve, Shën Valentini, unë ngaqë Rifati kishte ditëlindjen dhe ishim më të rinj, dhe e kisha me shumë dëshirë ditëlindjen e Rifatit, gjithmonë, kisha një kuvertë të bardhë që ma kishte bërë nëna me grep për martesë, unë gjithmonë këto petale ja bëja surprizë Rifatit dhe ja mbushja komplet shtratin me petale, me zëmra, me të gjitha.”
Por edhe ky çift i lumtur kanë debatet e tyre dhe Rifati na tregon se për çfarë debaton me bashkëshorten e tij.
“Fjalën më të madhe e kena për profesionin, jo bëhet kështu, jo po ashtu. Aty te profesioni mund të kemi ndonjë debat për profesionin, por jo në shtëpi shkojmë shumë mirë.”
Sot çifti jeton në një banesë ku dikur ishin 27 persona dhe shtëpia gumëzhinte. Zoti nuk e gëzoi këtë çift me fëmijë e megjithatë ata ditën të jetojnë të lumtur.
“Mungesa e një fëmijë, normal, sikur edhe një telefonatë edhe të mos e kesh afër, një telefonatë është një gëzim, një kënaqësi. Por prapë se prapë Zoti ka mëndu vetë. Ne përmbi Zotin nuk dalim. Normal që fëmijë gjithkush kishte dash. Por, gjithsesi”, tha Shpresa.
“Unë si mbesën e Shpresës, si mbesën time, unë i kam rrit, deri në 16-17 vjeçe kanë jetu me ne, si me jetu me prindërit e vetë”, tha Rifati për A2 CNN.
E kush me mirë se ky çift mund të japë një këshillë zemre për brezat e rinj sot.
“Ka ardh kohë e mirë për rininë, por mendoj që rinia duhet ta vlerësoje më shumë rininë e vetë. Lidhja nuk është aq e rëndësishme, mbajtja një lidhje me vite të tëra, sa mund të jetë familja, krijimi i një familje. Për mua familja është shumë e shenjtë”, tha Shpresa.
Dhe në fund nuk mund ta ndaheshim nga ky çift pa dëgjuar atë që ata ndjejnë për njëri-tjetrin. (A2 Televizion)