Sikur të mos mjaftojnë kushtet atmosferike me reshje dëbore dhe temperatura të ulëta, që sjell vështirësi në lëvizjen mes fshatrave, bashkia e Hasit dhe zonat përreth saj gjatë stinës së dimrit përballen edhe me mungesën e energjisë elektrike.
Edhe kur furnizohen me energji, ajo është mjafte dobët.
“Gjendja është katastrofë, pa drita s’ka jetë. Rrjeti është i dobët qysh nga ‘69. Një herë në 5 ditë kemi drita. E kanë bërë me grafi. Të shtunë, të diel nuk kemi drita”, thotë një nga banorët.
Situatën e vështirë me furnizimin me energji elektrike e pranon edhe vetë kryetari i bashkisë së Hasit.
“Linja elektrike lë shumë për të dëshiruar. Janë shtylla të vjetëruara, telat janë nëpër lisa. Telat janë që të kohës ‘67-’70 që janë oksiduar dhe nuk janë përcjellës të mirë të energjisë. Kontakti me lagështirën bën masë dhe energjia nuk shkon në ato familje. Prej vitesh ka mungesë investimesh”, u shpreh kryetari i bashkisë së Hasit, Miftar Dauti.
Fatmirësisht, deri tani në zonat e Hasit nuk janë shfaqur situata emergjente dhe procesi mësimor vijon normalisht. (A2 Televizion)