Mbeti në errësirë, rrezikoi pacientët, QSUT me 3 burime energjie, punon vetëm një

Nga Ornela Joti
21 Janar 2026, 17:15 | Sociale

Qendra Spitalore Universitare “Nene Tereza” dhe Ministria e Shëndetësisë vijojnë të heshtin në lidhje me skandalin e ndërprerjes së energjisë elektrike në shërbimin e reanimacionit qendror.  Pavarësisht kërkesave të A2 CNN për informacion, drejtoria e QSUT nuk jep asnjë sqarim se përse mbrëmjen e 19 janarit, gjeneratorët nuk arritën të ndizeshin pas ndërprerjes së energjisë elektrike.

A2 CNN ka mësuar se që prej 20 vitesh, në qendrën më të madhe spitalore të vendit janë vendosur tri burime të energjisë elektrike, ku në rast defektesh të rënda aktivizohen linjat e tjera, për të mos lënë pa energji spitalin e operacioneve dhe terapinë intensive siç ndodhi të hënën e 19 janarit. Por as për këtë çështje drejtoria teknike e QSUT nuk jep sqarime se përse nuk u aktivizuan linjat e tjera, dhe a janë realisht  në gjendje pune?

Burime jozyrtare bëjnë të ditur për A2 CNN se kontrata e mirëmbajtjes së gjeneratorëve ka përfunduar në mbyllje të 2025 dhe se aktualisht nuk ka asnjë kompani që  të sigurojë energjinë rezervë në rast avarish. Të njëjtat burime  thonë se kompanitë që fitojnë tenderin e mirëmbajtjes së gjeneratorëve në spitale, e veçanërisht në QSUT, kanë detyrim ligjor të provojnë gatishmërinë e këtyre pajisjeve rezervë 1 herë në muaj. Kjo procedurë nuk është kryer as kur firma mirëmbajtëse ishte brenda afateve të kontratës me QSUT, raporton A2 CNN.

Pas skandalit të fikjes së dritave në terapinë intensive, në shërbimin e reanimacionit, drejtoria e QSUT nxitoi të shpërndante deklaratën për shtyp ku theksonte se nuk u rrezikua jeta e pacientëve. Por në fakt mjekët, infermierët dhe familjarët e pacientëve që ndodheshin në shërbimin e reanimacionit dhe kardiologjisë e dinë fort mirë se çfarë tensioni kanë kaluar mbrëmjen e 19 janarit, për të shpëtuar  jetën 30 pacientëve te intubuar apo ne terapi intensive, ku çdo sekondë errësire ishte kërcënim jete.

Siç tregoi edhe shefi i reanimacionit Krenar Lilaj,  pacientët e terapisë intensive, veçanërisht  të intubuarit janë transportuar, me nxitim, një nga një, me respiratorë portative në shërbimin e kardiologjisë i cili për fat të mirë nuk kishte ndërprerje të energjisë elektrike, shkruan A2 CNN. 

Vetëm pas rikthimit të energjisë dhe garancisë që dha OSHE për riparimin e avarisë, pacientët u rikthyen në sallat e renimacionit.

Drejtoria e QSUT, ka përgjegjësinë të sqarojë opinionin publik se përse ky institucion i rëndësisë së veçantë, la 30 minuta pa dritë dhe oksigjen pacientët e terapisë intensive. Meritat e mjekëve dhe infermierëve në këtë rast nuk janë të drejtuesve të QSUT. Këta të fundit jo vetëm duhet të mbajnë përgjegjësi për skandalin, por edhe të sigurojnë se jeta e pacientëve në spital nuk mund t`i lihet në dorë të fatit apo Zotit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos