Ndonëse Drejtoria e QSUT deklaroi se mungesa e energjisë nuk rrezikoi jetën e pacientëve, ndërprerja e pazakontë e dritave në qendrën spitalore “Nënë Tereza” ka vënë në sprovë të vështirë mjekët dhe pacientët e reanimacionit qendror.
Për më shumë se 30 minuta, dy sallat e terapisë së shërbimit të Anestezi-Reanimacionit kanë qenë pa energji elektrike, ndërsa gjeneratorët e spitalit nuk kanë arritur të vihen në punë. Përballë kësaj situate, që kalon të gjithë kufijtë e normalitetit, mjekët dhe infermierët kanë ndërhyrë me urgjencë për të zhvendosur pacientët e intubuar dhe ata në terapi intensive drejt shërbimit të Kardiologjisë, i cili nuk kishte ndërprerje të energjisë, shkruan A2.
Profesor Krenar Lilaj, shefi i shërbimit të Anestezi-Reanimacionit, ka treguar të gjithë dinamikën e situates në terr dhe ndërhyrjen e stafeve mjekësore për të mos rrezikuar jetën e pacientëve. Doktor Lilaj tregon se vetëm pas rikthimit të energjisë elektrike dhe sigurisë së marrë nga OSHEE për riparimin e defektit pacientët janë kthyer në shërbimin e Reanimacionit.
Shefi i Anestezi- Reanimacionit pranon se kjo nuk ishte një situatë normale për spitalin dhe veçanërisht terapinë intensive, ndërsa refuzon të përgjigjet në lidhje me mosfunskionimin e gjeneratorit, kompetencë e drejtorisë së QSUT.
Shefi i shërbimit ka sqaruar edhe rastin e të dënuarit Mihal Merkuri, i cili humbi jetën mëngjesin e së martës në shërbimin e terapisë intensive: "Të gjitha janë të argumentuara në kartelën klinike. Gjendja e tij ishte shumë e rëndë".
Ndërkohë, drejtoria e QSUT nuk ka asnjë qëndrim zyrtar në lidhje me skandalin e ndodhur në spitalin më të madh të vendit. Drejtoria teknike nuk jep detaje se përse nuk u vu në punë gjeneratori dhe as dy linjat e tjera që furnizohejnë QSUT me energji elektrike. Ndërkohë, mësohet se kontrata e mirëmbajtjes së gjeneratorëve me kompaninë private ka përfunduar në fund të 2025.
E vetmja notë pozitive mbrëmjen e të hënës ishte se fati i cili këtë radhë ishte në anën e pacientëve. (A2 Televizion)