“Shteti shqiptar përgjigjet për dëmet që shkaktohen nga pasojat e një fatkeqësie.”
Ky është citimi në pikën 1, në ligjin nr.45/2019, date 18.7.2019 "Për mbrojtjen civile", në nenin 41 "E drejta e kompensimit". Kaq do të mjaftonte që të gjithë të prekurit nga fatkeqësitë natyrore të kalonin automatikisht në listën e dëmshpërblimeve.
Mirëpo ky ligj nuk gjen ekzekutim ne shumicën e rasteve, e nga këtu nis një kalvari gjatë mundimesh, hallesh, dhe falimentimesh të fermerëve dhe blegtorëve.
Shqipëria po përjeton një tjetër verë të nxehtë me zjarre të cilat nuk po kursejnë produktet bujqësore, kafshët blegtorale dhe banesat. Referuar po të njëjtit nen rolin kryesor për të kryer kompensimin e kanë bashkitë, pushteti vendor, mirëpo këtu haset një ngërç në zbatim.
“Brenda 5 ditëve nga ndodhia e fatkeqësisë natyrore, qoftë zjarr, përmbytje, breshër, apo çdo ndikim natyror, duhet të ngrihen grupet e vlerësimit të dëmeve dhe të fillojë menjëherë kompensimi”, tha Agron Haxhimali, ekspert i pushtetit vendor.
Në kthim përgjigjet që disa nga bashkitë e vendit kanë bërë për A2 CNN pak kohë më parë, rezulton se përgjatë vitit 2024, ka pasur numër më të lartë të raportimeve për problematika të shkaktuara nga zjarret dhe përmbytjet. Në bashkitë Lushnje, Fier, Shkodër, Lezhë, dhe Berat theksohet se në asnjë pjesë të territoreve që ato administrojnë nuk ka pasur shpallje të emergjencës natyrore dhe për këtë shkak, për të gjitha parcelat bujqësore nuk janë dhënë dëmshpërblime kur janë dëmtuar nga fatkeqësitë natyrore.
Ndërkohë bashkia Kuçovë deklaron se “ka patur fatkeqësi natyrore, breshër, dëmtim të serrave nga erërat e forta si dhe rënie zjarri në disa fshatra, duke djegur sipërfaqe me pemëtore dhe ullishte. Nga këto fatkeqësi janë dëmtuar 400 fermerë në vlerë totale 98.000.000 lekë, e pamundur të përballohet nga ana financiare nga Bashkia.”
Edhe në rastet kur bashkitë e kanë të pamundur të kompensojnë fermerët e dëmtuar për shkak të mungesës së fondeve të mjaftueshme, sërish na vjen në ndihmë ligji për mbrojtjen civile.
Po në nenin 41, këtë herë pika 4 thotë shprehimisht: “Në rast se vlera e kompensimit tejkalon 8 % të buxhetit të bashkisë, KMC-ja vendos që kompensimi të kryhet nga AKMC-ja, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.”
Ndër të tjera Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile thotë se dëmshpërblime ky institucion ka kryer deri në vitin 2019, ndërsa pas vitit 2020 barra e dëmshpërblimeve I ka mbetur bashkive.
“Bazuar në ligjin nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”, që nga janari2020, kompensimi i dëmeve të shkaktuara nga fatkeqësi natyrore ose fatkeqësi të tjera të shkaktuara nga veprimtari njerëzore realizohet nga njësitë e qeverisjes vendore në territorin e të cilave ka ndodhur fatkeqësia. Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka shlyer vetëm detyrimet e mbartura deri në dhjetor 2019, të reflektuara me aktin normativ përkatës. Gjatë periudhës që nga ngritja dhe funksionimi i AKMC-së, nuk është shpallur gjendja e fatkeqësisë natyrore për dëme në bujqësi.”
Institucioni pranon që ligji aktual ka vështirësinë zbatim, ndaj një kuadër I ri ligjor është në shqyrtim.
””Kuadri ligjor është i plotë dhe funksional. Aktualisht, zbatimi praktik i ligjit mund të hasë sfida në nivel lokal për shkak të kapaciteteve administrative të bashkive, por ligji është i zbatueshëm. Aktualisht, është hartuar një draft i ri i Vendimit të Këshillit të Ministrave, i cili synon të përmirësojë më tej procesin e kompensimit. Ky draft pritet të miratohet së shpejti.
E deri në përmirësimin e këtij ngërçi ligjor, fermerët dhe blegtorët e prekur nga fatkeqësive natyrore, u mbetet vetëm të luten që vera të jetë e freskët dhe dimri i butë. (A2 Televizion)