Tryeza e natës së ndërrimit të viteve është një nga traditat më të dashura shqiptare, e pasur me ushqime dhe simbolikë familjare. Por, sipas mjekut natyropat, imazherist dhe nutricionist Luçano Bardhi, më shumë se sasia e ushqimit, rëndësi ka mënyra e konsumimit dhe përzierja e tij.
I ftuar në emisionin “Puls” me Bruna Çifligun në A2 CNN, Bardhi theksoi se përzierjet e rënda, si alkooli me mishrat, djathi i përpunuar apo ushqimet me yndyra, janë më të dëmshme sesa vetë ushqimet individuale.
“Më e rëndësishmja nuk është çfarë konsumojmë në natën e Vitit të Ri, por mirënjohja, dashuria dhe ngrohtësia që krijohet në atë tryezë. Ushqimi, nëse është me njerëz të ëmbël, tretet. Nëse nuk është me njerëz të ëmbël, nuk tretet”, tha Bardhi. “Yndyrat e hidrogjenizuara si margarina, vaji i palmës dhe soja kanë efekte toksike për pankreasin, për stomakun dhe për mëlçinë. Tek personat me diabet këto yndyra rrisin insulinën dhe sheqerin në gjak. Përzierjet janë më të dëmshme sesa vetë ushqimet. Djathi ka kazeinë dhe histaminë, ndërsa alkooli ul copëtimin e kazeinës dhe kjo e vështirëson tretjen në zorrën e hollë”
Ai vuri në dukje se persona me diabet, probleme kardiovaskulare, mëlçi të dhjamosur apo që marrin medikamente duhet të tregojnë kujdes të veçantë, pasi abuzimi mund të çojë deri në urgjenca shëndetësore. Sipas tij, është e këshillueshme që vakti të nisë me sallata të lehta apo perime për të stimuluar enzimat tretëse, ndërsa ëmbëlsirat si bakllavaja të konsumohen në porcione shumë të vogla, të shoqëruara me çajra bimorë.
“Para ushqimeve të rënda është e mira të konsumohen porcione shumë të vogla sallate. Kjo e informon trupin dhe stimulon prodhimin e enzimave tretëse”, tha Bardhi. “Një porcion shumë i vogël bakllavaje nuk përbën problem. Nëse shoqërohet me çaj finoku, mente apo kanellë, modulohet rritja e sheqerit në gjak”.
Sipas tij, pas ushqimit, e rëndësishme është të konsumohet vetëm një frut. “Molla është perfekte pas ushqimit. Përmban fibra të tretshme dhe jep ndjesinë e ngopjes, duke bërë që të mos konsumojmë më shumë”, u shpreh ai. (A2 Televizion)