Salla e teatrit “Petro Marko” në Vlorë u bë pikënisja e protestave të disa dhjetëra qytetarëve vlonjatë, të cilët kanë si motiv të reagimit të tyre mungesën prej katër ditësh të furnizimit me ujë në banesat e tyre.
Paraditen e së hënës, protesta u zhvendos para bashksië së qytetit, ku protestuesit kërkuan takim me kryebashkiaken, shkruan A2.
Në shenjë revolte, ata kanë qëlluar me vezë godinën e bashkisë, ndërsa protesta u zhvendos në një prej kryqëzimeve kryesore të qytetit duke e bllokuar atë.
Sakaq, kryebashkiakja e Vlorës, në një prononcim nga vendi ku ka ndodhur defekti që ndërpreu furnizimin e pjesës më të madhe të Vlorës me ujë, u shpreh optimiste për rikthimin e furnizmit në orët e vona të mbrëmjes së të hënës.
Ndërkohë, Shtabi i Emergjencave Civile në Prefekturën e Vlorës ka thirrur një mbledhje urgjente me drejtuesit e institucioneve lokale.
Nga ana tjetër, prej ditësh qytetarët e Vlorës po përpiqen me bidona në duar të sigurojnë ujë për familjet e tyre sa në burime, ashtu edhe pranë autoboteve apo linjave periferike të qytetit.
Nuk mungojnë as qytetarët që i janë drejtuar bregdetit.
(A2 Televizion)