Ulja e vaksinimeve tek fëmijët po rikthen fruthin në Shqipëri. Instituti i Shëndetit Publik konfirmon një rast fruthi tek një fëmijë i shtruar në pediatrinë e QSUT. Mësohet se i mituri është paraqitur në spital më 22 dhjetor, me temperaturë shumë të lartë dhe shenja tipike të sëmundjes. Aktualisht, ai po mbahet nën monitorim si rast i izoluar.
Mjekët tregojnë për A2 CNN se fëmija është i pavaksinuar me dozën e parë të vaksinës, e cila kryhet në vitin e parë të jetës. Instituti i Shëndetit Publik ka nisur hetimin epidemiologjik për zbulimin e rasteve të tjera të mundshme me fruth.
Edhe më herët, ekspertët e shëndetit publik u kanë bërë thirrje prindërve për respektimin e kalendarit të vaksinimit, ndërsa theksojnë se vaksina kundër fruthit nuk shkakton autizëm.
Fruthi është një nga sëmundjet më ngjitëse dhe me pasoja të rënda për shëndetin e fëmijëve. Çdo i infektuar mund ta përhapë sëmundjen te 12–18 persona të pavaksinuar. Ai mund të shkaktojë pneumoni të rënda, infeksione të cipës së trurit, deri edhe humbje jete.
Në lidhje me këtë rast është shprehur edhe deputeti socialist Erion Braçe, i cili u bën thirrje prindërve të dëgjojnë mjekët. Pas pandemisë, vaksinimi i fëmijëve ka rënë ndjeshëm jo vetëm në Shqipëri, por edhe në vende të tjera të botës.
Mbulesa vaksinale në vendin tonë me dozën e parë kundër fruthit ka rënë në 73%, ndërsa me dozën e dytë në 87%, shumë larg mbulesës 95% që nevojitet për të ndaluar përhapjen e fruthit. Tirana dhe Durrësi vijojnë të kryesojnë për nivelet më të larta të fëmijëve të pavaksinuar, të cilët bëhen burim infektimi si për njëri-tjetrin, ashtu edhe për fëmijët më të vegjël që nuk e kanë mbushur ende moshën për kryerjen e vaksinës. (A2 Televizion)