Vitin e ardhshëm më shumë projekte për ripërdorimin social të pasurive të konfiskuara

Nga A2 CNN
29 Dhjetor 2025, 18:39 | Sociale

Vitin e ardhshëm më shumë projekte për ripërdorimin

Kthimi i pasurive të konfiskuara nga krimi në mundësi reale për një të ardhme më të sigurt për viktimat e dhunës dhe trafikimit mbetet një nga prioritetet kryesore të Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK.

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu dhe Kryeadministratorja e AAPSK, Risena Xhaja, vizituan një nga shembujt më domethënës të kësaj nisme: një objekt i përfituar nga veprimtari kriminale, i cili sot funksionon si strehë e sigurt për viktimat e dhunës dhe trafikimit të qenieve njerëzore.

Ky model dëshmon se pasuritë e përfituara në mënyrë të paligjshme mund të rikthehen në shërbim të shoqërisë, duke u shndërruar në mbështetje konkrete për kategoritë më të ndjeshme.

Deri në vitin 2025 janë realizuar mbi 15 projekte të ngjashme, janë mbështetur më shumë se 20 institucione dhe janë ndihmuar drejtpërdrejt rreth 300 viktima të dhunës dhe trafikimit, përmes shërbimeve të mbrojtjes, rehabilitimit dhe riintegrimit.

Gjatë vizitës, Kryeadministratorja Xhaja theksoi se “vënia në përdorim social e pasurive të konfiskuara është një nga mënyrat më domethënëse për t’i rikthyer shoqërisë vlerën e aseteve të përfituara nga veprimtaria kriminale. Përmes projekteve si  kjo strehë e organizatës “të ndryshëm, të barabartë”, këto pasuri nuk mbeten thjesht në administrim financiar, por shndërrohen në hapësira reale mbështetjeje, integrimi dhe dinjiteti për grupet në nevojë. Bashkëpunimet me organizatat e shoqërisë civile, partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet vendase janë shumë të rëndësishme për ta kthyer këtë vizion në rezultate konkrete për komunitetin dhe të zgjerimin e modeleve të tilla,” tha Xhaja.

Kryeadministratorja e AAPSK theksoi se institucioni që sjo drejton synon të zgjerojë më tej bashkëpunime të tilla dhe një nga objektivat kryesorë për vitin 2026 do të jetë rritja e numrit të projekteve të tilla.

Ministrja Koçiu u shpreh se këto pasuri përfaqësojnë një mundësi reale për t’u kthyer në shërbime sociale dhe publike në dobi të komunitetit.

Ajo theksoi se objekti i vizituar, një vilë dykatëshe, i krijon mundësi shoqatës “Të Ndryshëm, të Barabartë” të ofrojë shërbime për gra dhe fëmijë viktima të dhunës në familje apo trafikimit.

Ministrja nënvizoi se institucionet do të vijojnë punën për të rikthyer çdo pasuri të përfituar në mënyrë të paligjshme në shërbim të komunitetit, duke ndjekur të gjitha procedurat ligjore. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos