Moti i keq që është shtrirë prej mesditës në të gjithë territorin e vendit, ka bërë që 13 fshatra të njësisë administrative Gorë në Bashkinë e Maliqit të mbeten pa energji elektrike.
Lajmi bëhet i ditur nga administratori i kësaj njësie, Nazmi Qose, i cili tha për mediat se e gjithë kjo situatë është krijuar për shkak të reshjeve të shumta shoqëruara me erë të fortë dhe stuhi.
Fshatrat e njësisë administrative Gorë sipas administratorit kanë një shtrirje të madhe dhe ajo që është më shqetësuese, rrjeti është shumë i amortizuar dhe shtrihet në zona të thella malore. Për këtë arsye gjithmonë kur ka reshje shiu me erë të fortë, pjesa më e madhe e këtyre fshatrave ngelen pa energji elektrike.
Ndërkohë gjatë mbrëmjes, në Pedonalen e qytetit të Korçës, është shkëputur një pjesë suvaje, nga fasada e një pallati dhe ka rënë mbi tendën e një lokali.
“Për pasojë është lënduar lehtë në shpatull shtetasi L. T., 35 vjeç, banues në Korçë, i cili u dërgua për ndihmë mjekësore në spitalin e Korçës”, njofton policia.
Në kryeqendrën e juglindjes, reshjet e dendura të shiut kanë bllokuar unazën e qytetit. Në Korçë ka edhe bllokim gradarësh të ujërave dhe vështirësi në lëvizjen e mjeteve. (A2 Televizion)