Ndryshojnë kushtet e licencës, mësuesit e fshatrave në Kukës mbeten pa transport

Nga Ervin Mehmeti dhe Gazmend Janku
9 Qershor 2025, 15:33 | Sociale

Përllogaritja e shërbimit në rrugë të pashtruara në fshatrat e Kukës si rrugë të kategorisë së parë me asfalt, ka bërë që kompania që kryente transportin e mësuesve dhe nxënësve të tërhiqet nga shërbimi. Kjo ka pamundësuar ushtrimin e detyrës nga mësuesit, që kërkojnë një zgjidhje nga drejtoria rajonale e arsimit që ndodhet në Lezhë.

Ndonëse në fund të vitit shkollor për sistemin parauniversitar, mësues dhe nxënës në fshatrat e Kukësit kanë mbetur pa transport. Këtë të hënë mësuesit janë mbledhur si çdo ditë për të shkuar drejt shkollave ku japin mësim, por firma që kryente transportin e tyre nuk e ka kryer itinerarin e përditshëm. Përfaqësuesi i firmës së transportit ka sqaruar për A2 situatën e krijuar.

Ndërsa nxënësit e përfundojnë vitin shkollor në fund të kësaj jave, mësuesit duhet të paraqiten në shkollat e tyre deri në datën 5 korrik dhe mungesa e transportit po u pamundëson ushtrimin e detyrës.

Ndërkohë ende nuk dihet se si do te zgjidhet ky ngërç nga drejtoria rajonale e arsimit në Lezhë, e cila përfshin edhe qarkun e Kukësit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos