I vendosur mes Kodrave të Elbasanit, fshati piktoresk i Godoleshit, hapi mbrëmjen e djeshme dyert për vizitorët me festën tradicionale“ Qershi dhe Dashuri”.
Të rinj, të moshuar, banorë vendas dhe vizitorë nga qytetet përreth u mblodhën për të festuar së bashku nën hijen e pemëve të qershisë, në një ngjarje ku tradita takohet me dashurinë për natyrën dhe kulturën.
Festa u shoqërua me panaire të produkteve bio, ku qershia – simboli i zonës – mbizotëronte në çdo formë: e freskët, e konservuar, në reçel apo likere artizanale. Nuk munguan as gatimet tradicionale, dhe veshjet karakteristike popullore të Godoleshit dhe muzika popullore që e kthyen ditën në një mozaik emocionesh dhe kujtimesh të bukura.
Vetë fermerët e Godoleshit shprehen tepër të lumtur me ecurinë e deritanishme të tregut, i cili ka qenë më i mirë se vitet e kaluara. Tregtarët janë duke e marrë një kilogramë qershi nga fermerët e zonës me 300 lekë/kg. Për ta ky çmim vjen si pasojë e cilësisë së lartë të qershisë duke theksuar se çmimi do të qëndroj i njëjtë.
Banorët e zonës shprehen tepër të lumtur pasi festa të tilla promovojnë akoma dhe më shume zonën dhe mundin e tyre për kujdesin e qershisë. Për ta Bashkia Elbasan duhet të ketë një kalendar më të ngjeshur me aktivitete të tilla gjatë gjithë vitit.
Festa “Qershi dhe Dashuri” është kthyer në një ngjarje vjetore, duke forcuar lidhjet mes komunitetit dhe duke sjellë një impuls të ri për zhvillimin lokal dhe qëndrueshmërinë ekonomike të zonës. (A2 Televizion)