Të moshuarit shqiptarë do të marrin pension të 13-të. Sipas Dokumentit Politik për Moshimin dhe Planin e Veprimit 2025-2030, të cilin e ka siguruar A2 CNN, rezulton se qeveria planifikon që ky objektiv të arrihet brenda vitit 2030.
Ky plan kombëtar për moshën e tretë do të përgatitet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale me mbështetjen e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA) dhe e koordinuar nga Qendra Shqiptare për Popullsinë dhe Zhvillimin (QSHPZH).
Plani i Veprimit për Personat e Moshuar 2025-2030, synon të ofrojë një qasje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme për përmirësimin e cilësisë së jetës së të moshuarve në Shqipëri.
Ky plan vjen në një moment të rëndësishëm për vendin, ndërsa Shqipëria përparon në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian dhe përballet me sfida të thella demografike dhe ekonomike, që ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e të moshuarve.
Qeveria pranon se ndryshimet demografike të theksuara dhe kushtet e vështira ekonomike për të moshuarit, përfitues të pensioneve urbane, rurale ose sociale, kanë bërë t'i jepet një rëndësi më e madhe zhvillimit të politikave të dedikuara për këtë grupmoshë.
Ky plan veprimi mbështetet në parime të tilla si të drejtat e barabarta, integrimi social, përmirësimi i kujdesit shëndetësor, garantimi i aksesit në shërbimet sociale dhe mbështetjen institucionale. (A2 Televizion)