Secili për vete dhe zoti për të gjithë. Kjo moto duket se ka gjetur zbatim në fshatin Ngjeqar të Roskovecit, ku dora e shtetit nuk duket qoftë edhe në shërbimet më jetike, sic është uji.
Në këtë fshat nuk ka patur asnjëherë rrjet ujësjellës dhe ndër dekada këta banorë ia kanë dalë vetë të sigurojnë burimin kryesor të jetës, ujin.
Disa me puse, të tjerë duke shtrirë tuba për kilometra të tërë e disa të tjerë me kafshë pune, shkruan A2.
Shumica tashmë janë larguar nga ky fshat, ndërsa ata që kanë mbetur, teksa kujtojnë premtimet e atyre që u kërkojnë dhe u marrin votat, ndihen të pafuqishëm për t’u ankuar.
Përderisa ia kanë dalë deri tani, për pushtetin lokal këta banorë që kanë mbetur do të vijojnë t’ia dalin të sigurojnë vetë ujin, pasi nuk ka asnjë plan konkret për një rrjet ujësjellësi në këtë fshat. (A2 Televizion)