
Mirela Kumbaro, ministre e Arsimit, bëri me dije se Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin për zgjatjen e qëndrimit të fëmijëve në shkolla edhe përtej orarit të detyrueshëm dhe kjo kohë të zihet me “programe që i edukojnë talentet”.
“Sot miratuam një vendim që koha që fëmijët kalojnë në shkollë të jetë përtej orarit të detyrueshëm dhe të zihet edhe me aktivitete të tjera që nuk janë më pak të rëndësishme, me programe që i edukojnë talentet”, tha Kumbaro.
“Kjo pjesë e programit duhet të mbështetet edhe financiarisht, prandaj vendosëm dyfishimin e shumës me të cilën shpërblehen këto orë. Do të jetë 1000 lekë për orë, ishte fillimisht 500 lekë. Jo vetëm kaq, por e zgjerojmë listën e bashkëpunëtorëve edhe me mësues që janë në pension dhe kanë dëshirë të jenë pjesë e këtij programi dhe për specialistë të ndryshëm të arteve dhe muzikës”, shtoi ministrja. (A2 Televizion)