Të mërkurën ka nisur testimi i automatizuar për degën e Mjekësisë së Përgjithshme, i cili do të zgjas deri në 23 gusht. Maturantët të cilët duan të studiojnë në këtë program janë paraqitur në ambientet e QSHA për të testuar njohuritë e tyre në tre fusha, biologji, kimi dhe fizikë.
Disa të emocionuar e disa më të qetë, kanë shpresë se do të arrijnë rezultate të mira.
“Kam qenë sistematike në punën time, kështu që mendoj se këtu do shoh vërtet aftësitë e mia dhe çfarë kam punuar unë këto 12 vite. Këtu do shihet fryti i kësaj pune.”
Sipas rektoratit të Universiteti të Mjekësisë, këtë vit, regjistrimi në degën e mjekësisë së përgjithshme do të funksionojë me rregullat ekzistuese duke mos i vënë maturantët përballë kontratës për punë të detyruar në vend.
Kjo pasi Gjykata Kushtetuese rrëzoi pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë dhe aktualisht nuk është miratuar një i ri. Por kjo për disa nuk bën diferencë, megjithëse e konsiderojnë atë ligj të padrejtë.
“Për mendimin tim të qetëson. Është vetë perspektiva e secilit, dikush mendon se do ta ushtrojë profesionin në Shqipëri, dikush tjetër mendon se do ta ushtrojë jashtë. Kështu që për sa kohë dikush e ka merituar të vijë këtu, nuk mendoj se ka ndonjë detyrim konkret që të qëndrojë këtu i kushtëzuar.”
“S’ka ndonjë diferencë për mua. Njësoj është. Në Shqipëri sepse jam rehat në vendlindjen time sesa të dal jashtë shtetit.”
Në total janë 2500 maturantë që kanë aplikuar për 400 kuota në programin e mjekësisë së përgjithshme. Të rinjtë thonë se nëse nuk arrijnë të fitojnë këtë program studimi në shtet do të zgjedhin një tjetër alternativë, në universitete private për degët e sektorit të shëndetësisë.
“Nëse nuk del Mjekësia, besoj Mjekësi në ndonjë universitet privat, ose Stomatologjinë.”
Ky është viti i dytë që aplikohet provimi i automatizuar për degën mjekësi e përgjithshme, pas kërkesës së rektorit Arben Gjata, i cili ndër vite është hasur me studentë me nota fiktive, ndaj lindi nevoja e këtij testimi të njësuar për të gjithë, i cili zë vetëm 30% të peshës totale të vlerësimit ndërsa 70% vlejnë rezultatet e maturës dhe vitet e gjimnazit. (A2 Televizion)