168 njësi akomoduese pritet të përfitojnë nga ky vendim vetëm në vijën bregdetare të Durrësit. Por si e shikojnë këtë VKM administratorët e resorteve të mëdha në bregdetin e Durrësit.
Kufizohet apo zgjerohet zona e plazhit që u takon në zbatim të këtij vendimi?
“Është diçka e mirë sepse të gjithë hotelet dhe njësitë akomodues duan që plazhi të duket sa më mirë, sa më i pastër dhe kjo është mirë edhe për plazhet, por edhe për zonën dhe vijën bregdetare. Ne kemi pasur hapësirën aq sa na është dashur. Nuk ka pasur mangësi të paktën te hoteli jonë. Por ka hotele të tjera që ndoshta kanë pasur mangësi te pjesa e plazheve dhe tani është bërë më mirë. Me VKM e re kanë pasur mundësinë të marrin më shumë çadra”, tha për A2 CNN, Blerim Norja, menaxheri i një resorti në Durrës.
Por gjendja në të cilën do të jenë plazhet publike, që do të administrohen nga bashkia mbetet një nga shqetësimet kryesore të administratorëve të resorteve.
“Ana negative që duhet parë me shumë kujdes është që këto plazhet publike që do të jenë të lira për njerëzit, a do të mund të mirëmbahen, të jenë të pastra? Pra duhet të ketë një angazhim të bashkisë që plazhet publike të jenë të pastra dhe estetike edhe për pjesën tjetër që nuk administrohen nga hotelet”, shtoi Norja.
Sipas hartave të përcaktuara nga bashkia e Durrësit, rezulton se për 1000 metra vijë bregdetare, të paktën 300 metra do të jenë publike.
Ky model i shfrytëzimit të plazheve do të fokusohet tek e drejta e pushuesve për më shumë hapësira publike. (A2 Televizion)