“Sheh rrushi rrushin... e nuk shitet”... Fermerët ankohen për çmimin e ulët dhe fuqinë punëtore

Nga Armend Pire
1 Shtator 2025, 15:50 | Sociale

Këto janë disa nga shqetësimet që kanë fermerët e rrushit në fshatin Luar të Roskovecit. Beqo Toska është kultivues prej 25 vitesh, por këtë vit po has shumë vështirësi në shitjen e prodhimit. Rrushi i sivjetshëm është mjaft cilësor thotë fermeri por nuk ka pasur mbështetje nga shteti për shitjen apo subvencionime të prodhimit.

“Vijnë këtu dhe tallen, thonë 25 lekë, 30 lekë. Çmimi duhet të ishte 50-60-70 lekë (për kg)”, thotë fermeri Beqo Toska.

Ndryshe nga ai, dy vëllezërit Mitat e Landi Shusha, kanë gjetur një tjetër mënyrë për të nxjerr fitime nga prodhimi i rrushit. “Çmimi ka qenë i mirë, ka qenë më i lartë se vitet e tjera. Sivjet ka arritur 600-800 lekë. Ne bëjmë raki dhe verë se jemi të lidhur me një që tregtojmë raki”, tregojnë ata.

Për ekspertët e bujqësisë zgjidhja për fermerët është rritja e standardit të cilësisë së prodhimit si dhe bashkimi i fermerëve për të konkurruar në treg. “Fermerët e vegjël, të paformalizuar, me sipërfaqe të vogël dhe produkt të pastandardizuar, çmimi do të variojë diçka më shumë se 25 lekë”, thotë Ilir Pilku.

Teksa fermerët në Fier e shesin rrushin me 25-50 lekë, në Tiranë ky produkt arrin nga 130-250 lekë. Një lidhje e drejtpërdrejt mes fermerit dhe tregtarit fundor, do të ishte edhe një lehtësim në çmim për konsumatorët. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos