
Libia, Afganistani dhe Somalia janë vendet më të rrezikshme në tokë, sipas të dhënave më të fundit të pasqyruara në një hartë për udhëtarët që i paralajmëron ata për rreziqet në shtete të ndryshme të botës.
Harta interkative është ndërtuar nga “Travel Risk Map” për vitin 2019, e cila tregon shtete ku udhëtarët kanë më shumë gjasa të kenë probleme me sigurinë, por edhe me çështjet mjekësore.
Vendet nordike: Finlanda, Norvegjia dhe Islanda janë në krye si shtete më të sigurta në botë. Shtet më të rrezikshme sa i përket sëmundjeve e probleme të tjera mjekësore, në këtë hartë renditet në krye Sudani i Jugut, Nigeria, Bregu i Fildishtë dhe Sierra Leone. Po ashtu, edhe Iraku, Libani, së bashku me Venezuelën dhe Korenë e Veriut vlerësohen si vende me rrezikshmëri të lartë sa i përket sëmundjeve.
Në të kundërt, vendet me rrezikun më të ulët nga sëmundjet janë pjesa dërrmuese e shteteve europiane, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Japonia.

Ndërsa shtete si Brazili, Kina dhe Rusia konsiderohen si vende me rrezikshmëri e cila mund të ndryshojë me shpejtësi kur bëhet fjalë për shëndetin.
Sa i përket sigurisë rrugore, shumica e shteteve në Afrikë janë në krye të listës, ndërsa më pas janë shtete si Brazili, Bolivia, Arabia Saudite, Irani dhe Kazakistani. (A2 Televizion)