
Mijëra vetë shfrenuan imagjinatën me kostumet e tyre të frikshme dhe mbushën rrugët e New York në Paradën e 45-të të Halloween.
Një prej tematikave më të pëlqyera ishte pa dyshim edhe politika, me zgjedhjet për kongresin dhe senatin vetëm pak ditë larg. Presidenti Donald Trump ishte sigurisht një ndër personazhet më të preferuar, ndërsa nuk mungonin edhe “skuadra” të tëra me kostumin e Superwoman, dhe klounët, nga më të bukurit te më të frikshmit.
Parakaluesit në Greenwich Village u shoqëruan nga disa mijëra oficerë të policisë së qytetit, të cilëve iu ishin bashkuar edhe njësi të kundër-terrorizmit, për të siguruar mbarëvajtjen e aktivitetit.
Në Hollywood 35 000 njerëz festuan “Ditën e të Vdekurve”, me kostume po aq fantastikë, muzikë dhe kërcimtarë aztekë, për të krijuar një urë mes jetës dhe vdekjes.
“Duam që fëmijët ta dinë se çfarë festash kremtonin paraardhësit e tyre dhe thjeshtë dinë që kjo festë është e kulturës së tyre dhe nuk është pjesë e Halloween”, tha një prej pjesëmarrëseve.

Një spektakël i veçantë u ofrua nga NASA, ku të paktën për një ditë astronomët dhe inxhinierët nuk u morën me vëzhgimin e asteroideve, por treguan aftësitë e tyre në gdhendjen e kungujve. Rezultati ishte fantastik… (A2 Televizion)

