
Pushimet në Pogradec për Agron Ketajn, 53-vjeçarin nga Tirana u mbyllën në mënyrën më të keqe të mundshme, pasi u shtyp nga fadroma që po pastronte bregun e Liqenit.
Për rrjedhojë, uniformat blu bëjnë me dije se kanë arrestuar D. P., 31 vjeç, punonjës i një firme pastrimi si edhe G. D., 40 vjeç, përgjegjës i kësaj firme. Nga hetimet, ka rezultuar se ky i fundit nuk ka kontrolluar punonjësit dhe nuk i ka sqaruar ata, në lidhje me detyrat që do duhet të kryenin.
Ketaj u dërgua një ditë më parë me helikopter nga Pogradeci drejt spitalit të Traumës në kryeqytet, ku po merr ndihmë mjekësore. Nga sa mësohet gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.
Ndaj të arrestuarve rëndon akuza për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
"Pogradec
Goditi me fadromë, gjatë punës për pastrimin e bregut të liqenit, një pushues, i cili si pasojë u dëmtua rëndë, vihet në pranga drejtuesi i këtij mjeti.
Në pranga dhe përgjegjësi i firmës së pastrimit, mbi dyshime për shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë.
Në vijim të informacionit paraprak, të dhënë ditën e djeshme, për një shtetas të aksidentuar nga një fadromë, në plazhin e Pogradecit, ju informojmë se:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin D. P., 31 vjeç (punonjës i një firme pastrimi), banues në Pogradec, pasi në lagjen nr. 1, Pogradec, në plazhin e liqenit, me një mjet teknologjik (fadromë), me të cilin ky shtetas po pastronte mbetjet në bregun e liqenit, ka goditur shtetasin A. K., 53 vjeç (pushues), banues në Tiranë, i cili u dëmtua rëndë dhe për këtë shkak, ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve.
Gjithashtu, nga hetimet për këtë rast, u vu në pranga shtetasi G. D., 40 vjeç, banues në Pogradec, me detyrë përgjegjës i kësaj firme pastrimi, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi dyshohet se nuk ka kontrolluar punonjësit e firmës dhe nuk i ka sqaruar ata, në lidhje me detyrat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme". (A2 Televizion)
Njoftimi i Policisë së Shtetit