Shtypja e dhunshme e protestave, manifestuesit në Mjanmar nuk ndalen, shfaqet San Su Ki

Nga A2 CNN
1 Mars 2021, 15:49 | Bota
Shtypja e dhunshme e protestave, manifestuesit në Mjanmar nuk ndalen,

Aung San Su Ki, u shfaq për herë të parë që prej arrestimit në një grusht ushtarak, gjatë një videokonferencë në një gjykatë. Sipas raportimeve, liderja e rrëzuar nga pushteti i Mjanmarit, dukej në gjendje të mirë shëndetësore dhe kërkoi të kontaktonte me një avokat.

Dy akuza të reja u njoftuan kundër San Su Ki, për shkelje të masave anti-covid gjatë fushatës zgjedhore dhe për nxitje frike dhe alarmi.

Ndërkaq, protestuesit dolën sërish në rrugë pavarësisht shtypjes së dhunshme të manifestimeve ditën e diel, kur u shënuan të paktën 18 viktima. 

Ushtria dhe policia ashpërsuan kundërpërgjigjen ndaj demonstratave në fundjavë, duke qëlluar me armë zjarri ndaj turmës. Por protestuesit sfiduan masën e ndalimit të grumbullimeve ditën e hënë, duke kërkuar që qeveria e zgjedhur të rikthehej në pushtet dhe San Su ki me liderët e tjerë të partisë liga kombëtare për demokracinë të liroheshin nga burgu.

Ushtria mori pushtetin me forcë më 1 shkurt, me akuzat për manipulim të zgjedhjeve të nëntorit, ku partia e San Su Ki fitoi me shumicë bindëse. Ajo nuk ka ofruar prova për pretendimet, ndërsa ka zëvendësuar komisionin zgjedhor e ka premtuar zgjedhje të reja brenda vitit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos