
Vendimi për shtyrjen e seancave gjyqësore nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ka bërë që mjaft juristë të shprehen kundër pezullimit. Sipas tyre, kjo është një çështje teknike, e cila duhet të kishte gjetur një zgjidhje të mëparshme.
“Të ndërpresësh procesin gjyqësor, është sikur të ndërpresësh një pushtet, njëri prej tre pushteteve. Në këtë rast e kemi krejtësisht të ndërprerë dhe kjo nuk është fare normale dhe e pranueshme.
Dispozitat kushtetuese e parashikojnë qartë që cilat janë të drejtat që mund të privohen në kushtet e gjendjes së jashtëzakonshme për shkak të fatkeqësive natyrore. E drejta për proces të rregullt gjyqësor nuk parashikohet të kufizohet në këto lloj kushtesh”, thotë juristi Isuf Shehu. “Kemi zgjatje të afateve të paraburgimit në mënyrë të njëanshme nga Këshilli i Lartë Gjyqësor, edhe pse zgjatjet apo pezullimet duhet të bëhen vetëm nga gjykatat”, thotë avokati Saimir Vishaj.
Por situata është më e rëndë në çështjet penale në një kohë që ekziston institucioni i prezumimit të pafajësisë. “Të gjithë personat që ndodhen në paraburgim, i konsiderojmë të pafajshëm për paq kohë sa nuk ka një vendim të formës së prerë”, thotë Vishaj.
“Mund të ishte parashikuar marrja e masave për zhvillimin e seancave. Duhet të kemi parasysh që në pjesën më të madhe të rasteve proceset zhvillohen në salla dhe distanca mes palëve është e konsiderueshme”, thotë Shehu.
Deri më datë 22 prill, të gjitha çështjet gjyqësore të themelit janë pezulluar deri në një njoftim të dytë nga këshilli lartë gjyqësor. (A2 Televizion)