
Koordinatori i Përhershëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri, Brian J. Williams, foli në Dita Jonë për pandeminë dhe ndihmën që është duke dhënë OKB-ja.
“Qeveria mori masa të shpejta në Shqipëri dhe tashmë po shihen rezultatet. Qeveria i është referuar si një luftë dhe në këtë luftë distanca fizike është arma më e fortë. Në e mbështesim përpjekjen e tyre për këto masa. Ne e dimë që virusi përhapet nga njëri person te tjetri dhe ndërsa i qëndrojmë njëri-tjetrit emocionalisht pranë duhet të ruajmë distancën fizike. Duket se situata është nën kontroll në Shqipëri. Numri i të infektuarve të rinj është në rënie. E rëndësishme është që kjo të ndodhë kudo në Shqipëri. Në SHBA kanë folur të gjithë për Nju Jorkun, por tashmë po shohim që po përhapet kudo. Është e rëndësishme që këto masa të zbatohen në të gjithë Shqipërinë”.
Më tej, Williams foli edhe për ndikimin që ka pasur pandemia në projektet e OKB-së në Shqipëri. “Edhe ne duhet të respektojmë masat e distancës fizike, por jemi duke punuar fort gjithsesi dhe po bëjmë gjithçka mundemi brenda luftës. Jemi duke dhënë ndihmesën tonë në luftën ndaj Covid-19. Janë disa agjenci të OKB-së që po mbështesin qeverinë shqiptare, si me financa, por edhe me pajisje mjekësore që nevojiten. Po flasim për rreth 700 mijë dollarë mbështetje, bashkë me OBSH-në. Respiratorët po bëhen të mundur të sillen edhe në Shqipëri. UNICEF është duke u marrë me fëmijët. Po mundohemi të çojmë internet në çdo shtëpi, pasi në këtë periudhë është mjaft i rëndësishëm. Dhuna në familja është një tjetër problem dhe ne po mundohemi të japim ndihmesën tonë edhe në këtë problem”.
Koordinatori i Përhershëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara në Shqipëri foli edhe për punën që do të ketë kjo organizatë pas pandemisë në vendin tonë dhe e vuri theksin te problemet ekonomike. “Ka shumë njerëz që punojnë në të zezë, që humbasin punën. Ne do të punojmë të japim mbështetjen dhe të ndihmojmë këto shtresa. Rrezik i madh është që njerëzit që kanë qenë pranë varfërisë të bien në të pas kësaj pandemie. Ne jemi aty edhe për institucionet shqiptare, për të dhënë ndihmesën tonë”. (A2 Televizion)