Tirana në zgjedhje të parakohshme, Rama: Të shkarkohet Veliaj, Manastirliu kandidate e PS

Nga A2 CNN
11 Shtator 2025, 19:18 | Politikë

7 muaj pasi SPAK-u e mori Erion Veliaj nga zyra në krye të detyrës për ta lënë në arrest me burg, Edi Rama vendosi largimin përfundimtar të tij nga Bashkia e Tiranës.

Vendimi përkon me kalimin e dosjes së tij në gjyq me akuza tjera të shtuara. Nuk kishte një dorëheqje, as një vendim nga Këshilli i Ministrave, por Kryeministri ia la detyrë këshillit bashkiak shkarkimin e kryetarit në detyrë, për ta çuar kryeqytetin në zgjedhje të parakohshme.

Për kandidatën socialiste për Tiranën, Edi Ramës nuk ju desh të shihte larg, pasi zgjodhi ish ministren e tij Ogerta Manastirliu, njëkohësisht drejtuesen politike të kësaj bashkie.

Manastirliu u shfaq sikur lajmin po e dëgjonte për herë të parë. Në fytyrën e saj buzëqeshja kishte marrë arratinë, ndërsa Spiropali nuk dinte nëse duhej ta përgëzonte apo të solidarizohej në dhimbje për të.

Në daljen e parë për gazetarët si kandidate e PS për Tiranën, Ogerta Manastirliu nuk e konsideroi si të duhurin.

Bashkë me Tiranën, në zgjedhje të parakohshme do të shkojë edhe Vlora, ku kryetari Ermal Dredha, ndryshe nga Veliaj pranoi të dorëhiqej.

Deri më 15 tetor, 6 bashki do të zgjedhin kryetarin. Berati, Tepelena dhe Mati, u braktisën për një mandat deputeti, Vlora nga përplasjet me Kryeministrin dhe Tirana për shkak të Drejtësisë.   (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos