
Në emisionin e përjavshëm Business Week në A2 u diskutua dhe në lidhje me abuzimet që ndodhin me tenderat publikë.
Në raportin e periudhës janar-qershor, të këtij viti, të Kontrollit të Lartë të Shtetit, evidentohet edhe zinxhiri i abuzimeve që fillon me planifikimin e projekteve, në lidhjen e kontratave e deri në zbatimin e tyre.
Për Gjergji Erebarën, gazetar në rrjetin investigativ BIRN, abuzimi mund të nisë që në momentet e para kur caktohen kriteret për tenderin, të cilat automatikisht skualifikojnë shumë kompani të vogla dhe e paracaktojnë në një farë mënyrë fituesin.
Përcaktimi i kritereve duket sikur bëhet për të parazgjedhur fituesin dhe rastet janë të njohura. Një rast është kur drejtoresha e rrugëve akuzonte një kompani për falsifikim të dokumenteve dhe kjo kompani akuzonte drejtoreshën për falsifikim të tenderit. Deri tani, nuk kemi një hetim për këto akuza nga prokuroria apo nga personat përgjegjës. Një kriter për të fituar tenderin në unazë ishte që kompania duhet të kishte një vinç 400 tonë dhe në projekt nuk kishte nevojë për të. Por, duke vendosur këtë kriter shumica e kompanive nuk e kishin një mjet të tillë”, shpjegon Erebara.
Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, kritikoi nga ana e tij qëndrimin e kryeministrit Rama për të modernizuar infrastrukturën e vendit me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Sipas Malaj, është prezantuar një projekt i njohur si “Korridori Blu” që do të kushtojë 1.2 miliardë dollarë dhe për të cilin dokumentet e BE thonë se nëse vendet bashkëpunojnë mund të marrin financime nga jashtë për të.
Malaj shton se një nga problemet me të cilat mund të përballet Shqipëria në të ardhmen do të jenë borxhet direkte dhe indirekte.
“Është një sistem i madh korruptiv. FMN ka nxjerrë dy gjetje që janë testuar në të gjitha vendet. Që në investimet publike, në vendet me institucione të dobëta vidhet 53% e shumës, në vendet në zhvillim 34% dhe në vendet e zhvilluara 14%. Edhe investimet që përzgjidhen nën presionin e domosdoshmërisë që na imponon kriza kanë një risk korrupsioni 10-15% më të lartë.
Infrastruktura shqiptare është më e prapambetura në vendet e Ballkanit, por është i papajtueshëm qëndrimi i kryeministrit Rama që ta modernizojë infrastrukturën me paratë e taksapaguesve shqiptarë. Nuk kemi asnjë qindarkë nga projektet e konferencës së Berlinit, të cilat do të ishin një strukturë fondesh hibrid, do të ishin grante nga BE, por do të ishin dhe para me kosto nga BERZH.
Ne tani bëjmë debat për një rrugë që kushton 1.2 mld dollarë dhe kryeministri thotë se do të jetë pjesë e “Korridorit Blu”. Dokumentet e BE thonë që “Korridori Blu”, nëse ju bashkëpunoni me vendet e tjera, mund t’i marrësh financimet nga jashtë. Kështu që ne po futemi në një borxh të rëndë, pasi projektet po lihen në mes dhe taksat e shqiptarëve nuk janë as efektive. Rruga e Qukësit vajti 15 vjet. Një nga sfidat e mëdha që do të ketë Shqipëria do të jenë borxhet e mëdha direkte dhe indirekte që do të vijnë nga keqmarrja e borxheve apo dhe keqpërdorimi i taksave me projekte spontane”, u shpreh Malaj. (A2 Televizion)