Të varfër, por me kursime në banka. Në një kohë që gati gjysma e popullsisë kanë në xhepa më pak se 550 lekë për të shpenzuar në ditë, depozitat në banka kanë arritur në nivelet më të larta që prej viteve ‘90.
Në fund të majit, paratë e kursyera arritën në gati 1.4 trilionë lekë, 8.5 miliardë lekë më tepër se në prill, shkruan A2.
Leons Hasani, ekspert për ekonominë, shprehet: “Vitet e fundit kemi një rritje të pagave, por edhe remitancave. Kjo ka sjellë këtë situatë. Ndërkohë, kemi edhe inflacionin. Kryesisht po zhvlerësohen të ardhurat e familjeve në veri të vendit, që presin më shumë dërgesa emigrantësh. Ndryshe ndodh në Korçë apo Durrës”.
Të dhënat nga Banka Qendrore tregojnë se me gjithë zhvlerësimin, euro është valuta kryesore në të cilën shqiptarët mbajnë kursimet e tyre. Në 11 bankat e nivelit të dytë në fund të majit pati mbi 7.5 miliardë euro të kursyera.
Xhonsila Hoxha, eksperte e ekonomisë, thotë për A2: “Kjo pasi ka shumë të rinj veçanërisht që të ardhurat e tyre i kanë në euro. Janë ata që kanë aftësinë më të madhe për të kursyer që punojnë në kompani të huaja”.
Por, situata nuk përputhet tërësisht me atë që shqiptarët thonë.
“Unë punoj dhe ha, nuk kam kursime. Nuk na del për të kursyer. Kurse sot e kurse nesër, nuk kemi çfarë bëjmë... Në këtë vend jemi. Nuk del dot jashtë kornizës. Nuk kemi ndonjë buxhet për të kursyer. Nuk na del”, thonë disa qytetarë.
Shqiptarët patën gati 1.3 trilionë lekë të kursyera në banka në fund të vitit, por pjesa më e madhe e këtyre parave iu përkasin vetëm pak individëve. Të dhënat nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave tregojnë se më shumë se gjysma, gati 739 miliardë lekë, zotëroheshin nga vetëm 5% e qytetarëve.
Agjencia nxjerr në pah gjithashtu se pak më shumë se 1.7 milionë llogari kanë deri në 2.5 milionë lekë, ndërsa gati 950 mijë prej këtyre depozitave janë bosh, pra kanë më pak se 100 lekë në gjendje. (A2 Televizion)