Durrësi i goditur nga tërmeti dhe pandemia, Xhepa: Gati 1/3 e bizneseve në prag të falimentimit

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2020, 10:00 | Ekonomi

Durrësi ka qenë një nga qytetet më të goditura shqiptare në vitin që po mbaron. I prekur drejtpërdrejt nga tërmeti i 26 nëntorit dhe më pas nga masat parandaluese ndaj COVID-19, qyteti turistik po përjeton një krizë, pasojat e së cilës ende nuk janë shfaqur plotësisht.

Profesor Selami Xhepa komentoi në A2 rezultatet e një studimi të Fondacionit për Shoqërinë e Hapur, ku ai është përfshirë, që analizon efektet reale ekonomike të  qindra bizneseve, kryesisht ato të vogla dhe të bazuara në shërbim edhe turizëm.

“Janë intervistuar rreth 500 kompani të tilla, por janë zhvilluar fokus-grupe edhe me kompani më të mëdha. Shkalla dhe intensiteti i kësaj goditje ka qenë shumë i fortë. Gati një e treta e këtyre bizneseve janë në prag të falimentimit”, thotë profesori.  

Nga studimi mbi aktivitetin ekonomik në Durrës

Gjatë viteve të fundit, sektori i turizmit ishte një lokomotivë rritje, ku deri 3 muaj para tërmetit, sipas studimit, “42% të aktiviteteve kishin rritje deri në 10%, ndërkohë që tani rezulton se gati 2/3 e aktiviteteve ka pasur një përgjysmim të ardhurash, që e bën shumë të vështirë mbijetesën”.

Kompanitë e targetuara nga studimi janë përpjekur të mbajnë të punësuarit, kryesisht duke shfrytëzuar burimet personale, ndërkohë që ka qenë i kufizuar shfrytëzimi  i institucioneve bankare.

Kjo ndodh, sipas Xhepës, “sepse në këtë fushë biznesi, në qoftë se prishet zinxhiri, është e vështirë të rikthehet në gjendjen fillestare. Plus që, fondet e likuiditetit të vëna në dispozicion nga qeveria janë shfrytëzuar më shumë nga bizneset e mëdha”.

Studimi tregon edhe se një pjesë e madhe e bizneseve të goditura në Durrës mendon se do të duhen të paktën 2 vite për të rikuperuar gjendjen e mëparshme. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos