Polemika për shqiptarët në Britani/ Pas sulmeve të liderit të BREXIT, Rama i përgjigjet Farage

Nga Anesti Barjamemaj
28 Qershor 2025, 14:26 | Politikë

Në intervistën e tij të parë për një media ndërkombëtare pas marrjes së mandatit të katërt, Kryeministri Edi Rama është përfshirë në debatin e brendshëm politik Britanisë së Madhe. 

Deklaratat e dhëna nga Rama për “The Guardian” sa i takon çështjes së emigrantëve të paligjshëm në vendin ishullor, duket se nuk janë pëlqyer shumë nga politikanët britanikë. 

“Është një nga ato gjëra që 10 vjet më parë nuk do të kishin qenë të imagjinueshme… që Britania do të kërkonte vende për të lënë emigrantët. Fakti që sot kjo është jo vetëm e imagjinueshme, por edhe po ndodh, nuk është sepse Keir Starmer apo Rishi Sunak po bëjnë diçka skandaloze; është sepse Britania ndodhet në një pozitë shumë dëshpëruese”, pati deklaruar kryeministri, shkruan A2.

Por, teksa qeveria ka preferuar të ruajë qetësinë, qëndrimet e Ramës se shumë liderë të Britanisë së Madhe i kanë kërkuar që të pranojë emigrantët e paligjshëm, kanë marrë përgjigje nga deputeti Nigel Farage, lideri izolacionist dhe udhëheqësi i fushatës së Brexit: “Si mund të na kritikojë kur ai kaloi muaj të tërë duke negociuar me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. Ai pranoi të merrte shumë emigrantë që kalonin Mesdheun. Ta them unë, zoti Rama, a e di se një në çdo 50 shqiptarë në Britani është në burg? Prandaj, trego pak vullnet të mirë dhe merrini të gjithë mbrapsht nesër, sepse kjo është hipokrizi”. 

Nuk kanë kaluar as 24 orë dhe Rama ka pranuar menjëherë sfidën. Ndoshta edhe pse polemika është në një farë mënyre fusha e tij e preferuar. Në përgjigjen e tij me doza ironie për shkak të termave të përdorur nga deputeti britanik, pasi e kishte quajtur “burrë gjigant” të një vendi të vogël, Rama e fton që të studiojnë shifrat dhe të shohin se kush ka të drejtë. 

“Ajo që thatë, se “një në 50 shqiptarë në burg” — nuk është fakt. Është absurde. Tani, meqë të dy duket se e vlerësojmë “vullnetin e mirë” dhe jemi të ndjeshëm ndaj “hipokrizisë”, ja çfarë propozoj: Të sjellim të dy shifrat tona në tavolinë. Nëse pretendimi juaj “një në 50” rezulton i saktë — unë, personalisht, angazhohem t’i marr të gjithë mbrapsht”, lexohet në postimin e Ramës.

Në të kundërt, thotë lideri i qeverisë, Nigel Farage nuk ka nevojë për falje, por vetëm duhet të vijë dhe të vizitojë Shqipërinë dhe të shohë nga afër realitetin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos