Si luftohet korrupsioni? Të huajt dhe shqiptarët kanë mendime të ndryshme

Nga A2 CNN
9 Dhjetor 2018, 19:46 | Aktualitet
Si luftohet korrupsioni? Të huajt dhe shqiptarët kanë mendime

Lufta ndaj korrupsionit shënon një nga detyrat kryesore që duhet të plotësojë Shqipëria për përparimin në procesin e integrimit. Ekspertët ndërkombëtarë për çështjet kundër korrupsionit dhe njohës të mirë të situatës në Ballkan, vlerësojnë se frenimi i korrupsionit duhet të vijë nga vetë qytetarët. Janë ata që duhet të kërkojnë më shumë llogari te shteti.

“Shqiptarët duhet të jenë të përfshirë në menaxhimin e institucioneve. Duhet të pyesin, të jenë kritikë. Të jenë ata që thonë: ky është vendi ynë, është shoqëria jonë dhe politikanët duhet të jenë llogaridhënës ndaj nesh. Të sigurohen që ata që ju drejtojnë, të japin llogari”.

Diego Osorio, këshilltar ndërkombëtar për çështjet e administratës publike

“Është e rëndësishme që në një vend si Shqipëria të ketë llogaridhënie, sepse do t’i dëshmojë komunitetit ndërkombëtar, se ia vlen të investohet në Shqipëri. Ndryshimet në vende si Shqipëria kanë ndodhur edhe më parë, por ia kanë dalë të transformojnë të shkuarën në një të tashme shumë të mirë. Një nga mënyrat është llogaridhënia, transparenca e institucioneve”.

Alfredo Zamudio, drejtor i Qendrës Nansen, Norvegji

Por sipas ekspertëve shqiptarë, problemi nuk qëndron tek qytetarët shqiptarë, por tek mungesa e vullnetit politik.

“Qytetari po kërkon llogari, nuk është se nuk po kërkon. Ne kemi forma të ndryshme, qoftë nga ato negociuese, qoftë me protesta në rrugë. Por për të pasur rezultate në anti-korrupsion ne na mungon vullneti nga institucioni që qëndron në krye të këtij procesi, që është qeveria”.

Aranita Brahaj, drejtore Ekzekutive e Institutit Shqiptar të Shkencës 

“Zbatimi i reformës në drejtësi, futja e saj në funksionim, por edhe nismat e qytetarëve për të kërkuar më shumë informacion nga institucionet publike, janë dy elemente kyçe, të cilat nëse nuk përdoren atëherë do të jenë një shans i humbur”.

Lorena Pullumbi, eksperte e politikave kundër korrupsionit 

Angazhimi qytetar është një mjet i rëndësishme për të luftuar korrupsionin. Në këtë kuadër, përfaqësues të shoqërisë civile u bënë bashkë në Diplohack, një event që synon të përplase ide inovative mbi mekanizmat që mund të përdoren për të luftuar korrupsionin. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos