
Kompanitë e ndërtimit e vlerësojnë të nevojshme ndërhyrjen me një skemë të posaçme për sigurimin në tregun e banesave. Por sipas tyre, palë duhet të jenë edhe qytetarët, pasi ata realizojnë edhe 50% të transaksioneve në shit-blerjen e apartamenteve.
Arben Dervishi, sekretar i Shoqatës së Ndërtuesve, shprehet: “Ne me këtë skemë nuk jemi dakord sepse kjo duhet nisur që te mënyra se si jepet leja, te projektuesit se si përzgjidhen, te supervizori dhe ndërtuesi. Të gjithë duhet të kenë policat e sigurimit, por në fund duhet të jetë edhe qytetari”.
Avenir Kika, nga Shoqata e Ndërtuesve, theksoi: “Skema trekëndësh duhet të jetë katërkëndësh sepse transaksionet midis ndërtuesve dhe klientëve janë në masën 30-40%. Shitblerjet bëhen nga individët, jo nga firmat e ndërtimit. Këto individë dalin komplet jashtë kësaj skeme”.
Ndërtuesit vlerësojnë se banesat, pavarësisht problematikave të ndryshme që kanë, e kanë kaluar provën e goditjes së tërmeteve. Ata i rekomandojnë qeverisë një paketë ligjore për të zgjidhur problemin e shtesave dhe depozitave të ujit mbi pallate.
(A2 Televizion)