
Në fund të korrikut, në mënyrë të befasishme qeveria tërhoqi nga kuvendi, ku ishte hedhur për diskutim në komisionet parlamentare, projektligjin për korporatën e investimeve.
Një draft i kritikuar shumë nga opozita, ekspertët, por edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për kompetencat e shumta që do t’i jepeshin kësaj strukture, që do të funksionojë si një shoqëri tregtare që zotërohet nga shteti, e që si objekt ka administrimin e pronave publike, përgatitjen dhe zbatimin e projekteve të investimit, si dhe mobilizimin e kapitalit shtetëror ose privat, me qëllim kryerjen e investimeve.
368 milionë euro është kapitali fillestar që do të jepet si kontribut nga buxheti e që më pas do të rritet nëpërmjet bashkëpunimeve në projekte të ndryshme me kompani vendase e të huaja.
E ftuar në “A2 Business Week”, ekspertja e ekonomisë, Zana Guxholli u shpreh skeptike duke ngritur se shqetësimin se një nga shkaqet e krizës globale financiare kanë qenë pikërisht korporatat e investimeve. Ajo thekson se në vendin tonë mungojnë ekspertët e mirëfilltë.
“Rreziku që ky instrument është në duart e shtetit dhe jo 100% i pavarur të bën pak skeptik. Edhe ekonomitë e zhvilluara kanë një sërë organesh që i kontrollojnë. Një nga shkaqet e flluskave financiare dhe e krizës financiare ishte kriza pikërisht nga këto struktura, nga këto leva. Po të mendojmë se shteti ynë është pa eksperiencë, i brishtë, me histori të trishta korrupsioni dhe kjo kërkon ekspertë të mirëfilltë që unë në Shqipëri pak shohë, për të mos thënë hiç farë”, tha Guxholli.
Ndërsa për Elton Haxhin, zv.ministër i Financave, anëtarët e këshillit mbikëqyrës janë të pavarur.
“Ne jemi kujdesur që në radhë të parë, struktura qeverisëse e korporatës të ketë një lloj pavarësie nga qeveria. Si e kemi realizuar këtë? Shumica e anëtarëve të këshillit mbikëqyrës janë të pavarur, do të jenë specialistë të fushës. Ne jemi kujdesur që të tërhequr më të mirët. Ka një këshill konsultativ dhe në këtë këshill marrin pjesë edhe institucionet financiare ndërkombëtare. Ne jemi kujdesur që të përfshijmë sa më shumë ekspertizë”, tha zëvendësministri. (A2 Televizion)