
Presidenti amerikan Donald Trump ka anuluar konventën e Partisë Republikane, që ishte menduar të organizohej në Florida, për shkak të rritjes së shifrave të të infektuarve atje, ndërsa në rang kombëtar, të infektuarit tashmë i kanë kaluar 4 milionë.
“Nuk është koha e duhur për të mbajtur konventën”, tha Trump, duke shtuar se gjithsesi ka menduar për një formë tjetër të organizimit të saj. Disa delegatë republikanë do të mblidhen në Karolinën e Veriut, që është edhe origjina e mbledhjes së konventave, përpara zgjedhjeve presidenciale. Gjatë konventës që mbahet më 24 gusht, presidenti do të nominohet, thjesht formalisht, si i përzgjedhuri i partisë së tij për ta përfaqësuar në zgjedhjet e nëntorit, për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë.
Trump tha përpara gazetarëve se siguria vjen para së gjithash, pasi sot jetojmë në një botë krejt ndryshe, e që do të vazhdojë të jetë ndryshe edhe për pak kohë, ndaj vendosi të mos vërë në rrezik as veten, as stafin dhe as republikanët. E ndërsa shifrat e të infektuarve i tejkaluan 4 milionë të enjten, numri i viktimave është më shumë se 144 mijë, me Kaliforninë që mban vendin e parë si vatra më aktive në Shtetet e Bashkuara, ndjekur më pas nga Nju Jorku. Për të njëjtën ditë, edhe Misuri, Dakota e Veriut dhe Virxhinia shënuan një tjetër rekord për rastet e reja. (A2 Televizion)