Simbol i shpresës dhe mrekullisë, fëmijët e shpëtuar nga rrënojat e godinave të shembura në Turqi

Nga A2 CNN
16 Shkurt 2023, 09:55 | Bota

Turqia dhe Siria u tronditën nga dy tërmete shkatërruese, duke shkaktuar deri më tani mbi 33.000 viktima, 93.000 të plagosur dhe me mijëra ndërtesa të rrënuara. Përpjekjet e ekipeve të kërkim-shpëtimit vazhdojnë dhe e gjithë bota mbetet në pritje të lajmeve shpresëdhënëse. Fëmijët dhe foshnjat që arritën t'i mbijetonin rrënojave, edhe pas shumë orësh, u shndërruan në simbol të mrekullisë...

Një 5-vjeçare shpëton 7 orë pas tërmetit

Ndërtesa 6-katëshe, e vendosur në qendrën e qarkut Kahramanmaraş Pazarcık, u shemb nga tërmeti me magnitudë 7.7. Nën rrënoja mbeti edhe familja Güneş me 4 anëtarë. Nëna, babai dhe djali u shpëtuan herët në mëngjes, por nuk ishte e lehtë të arrihej te 5-vjeçarja Ayşe Kübra Güneş, me të cilën ekipet komunikonin vazhdimisht. Vogëlushja arriti t'i shkruante nën rrënoja edhe një mesazh babait të saj: "Jam mirë".

30 orë pritje

Një djalë 5-vjeçar, emri i të cilit mësohet se ishte Şahin, u gjet i gjallë nën rrënoja. Frika në fytyrën e fëmijës, 30 orë pas tërmetit, dallohej qartë, por lumturia e familjarve ishte e papërshkrueshme. Gjithashtu, pas 30 orësh tre fëmijë, Taha, Umay dhe Bade, u nxorrën nga rrënojat dhe u trajtuan nga ekipet mjekësore. 

Ekipet e kërkim-shpëtimit që punonin në distriktin Güzelburç në Hatay dëgjuan papritur, pas 30 orësh, zërin e 6-vjeçares Elif. Vajza u ndihmua fillimisht në vendngjarje nga ekipet e Urgjencës dhe më pas u dërgua në spital.

Orë tmerri

Një dyvjeçare u shpëtua mrekullisht pas 150 orësh, duke u nxjerrë nga mbetjet dhe menjëherë iu dha një maskë oksigjeni. Punonjësit e urgjencës e mbështollën fëmijën me fletë metalike dhe batanije për ta mbrojtur nga i ftohti. Gjithashtu, një foshnjë u shpëtua nga rrënojat 128 orë pasi tërmetet me magnitudë 7.7 dhe 7.6 ballë goditën Turqinë dhe Sirinë.

Nëna me 2 fëmijë

10-vjeçari Ahmet, 8-vjeçari Ertuğrul dhe nëna e tyre, të cilët mbetën nën rrënojat e ndërtesës së shembur në lagjen Nurhak të Kahramanmaraş, u nxorën të gjallë nga ekipet e AFAD-it. Ahmeti ishte i pari që doli nga rrënojat.

"Më ushqeu një burrë mjekërbardhë"

E nxjerrë nga rrënojat në Hatay, një vajzë 6-vjeçare rrëfeu për gazetarët një histori të pabesueshme. Ajo tha se ishte e ngrënë dhe nuk ishte lënduar pasi një burrë i madh mjekërbardhë vinte herë pas here për ta ndihmuar.  

Foshnja të shpëtuara

Një bebe 3-muajshe dhe nëna e saj u shpëtuan nga rrënojat në Gaziantep. Ndërsa në Hatay një foshnjë 2-muajshe me emrin Mehmet u nxor i gjallë.

Flokët e nënës në duar

Plot 60 orë pas tërmetit vdekjeprurës, një foshnjë 20-ditëshe u nxor shëndosh e mirë nga rrënojat. Ekipet e shpëtimit i gjetën në duar foshnjës së quajtur, Kerem Ağırtaş, flokët e nënës.   

"Mirëmëngjes!"

Mediat në Turqi kanë publikuar një video që tregon momentin kur ekipet e shpëtimit i kanë dhënë ndihmë një fëmije të bllokuar nën gërmadha. Sipas asaj që raportojnë mediat, në momentet që u arrit nga ekipet e shpëtimit, fëmija pyeti i habitur se ç’po ndodhte, gjë që shkaktoi edhe të qeshura mes personave të angazhuar në operacionin e shpëtimit. “Mirëmëngjes”, i thanë ata vogëlushit. Fëmijën e kishte zënë gjumi nga rraskapitja. Pasi u nxor nga gërmadhat, vogëlushi u dërgua në spital për kujdes shëndetësor.

Vdekje dhe lindje

Tërmeti i tmerrshëm që goditi Turqinë dhe Sirinë nuk kurseu as jetën e një nëne në Aleppo, e cila solli në jetë foshnjën e saj, teksa vendi shkatërrohej. Aya lindi nën rrënoja, por nëna, babai, katër vëllezërit dhe motrat e saj, ndërruan jetë. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos