Nga Turqia në Siri e në Zelandën e Re, ekspertët tregojnë nëse ka lidhje mes tërmeteve të shumta këtë muaj

Nga A2 CNN
15 Shkurt 2023, 20:40 | Bota

Më pak se dy javë pas tërmetit tragjik që mori më shumë se 40 mijë jetë njerëzish në Turqi dhe në Siri, një lëkundje e fortë ka tronditur Zelandën e Re.

Lëkundjet e ndjera të mërkurën, të cilat ishin me magnitutë 6 të shkallës Rihter, goditën dy ishujt e Zelandës së Re, edhe pse për fat të mirë nuk pati dëme në njerëz.

Por, a kanë lidhje tërmetet që po regjistrohen së fundmi me njëri-tjetrin?

Dr. Jessica Johnson, gjeofizikante nga Universiteti i Anglisë Lindore u shpreh për Mail Online se nuk ka ndonjë lidhje mes tërmetit të Zelandës së Re dhe atij që goditi Turqinë dhe Sirinë.

Kjo pasi dy vendet janë shumë larg, rreth 16093.44 km, distancë kjo shumë e madhe për t’u kategorizuar tërmeti në fjalë si pasgoditje.

Kurse, gjeologu britanik Roger Musson, shprehet se tërmetet janë shumë më të shumtë sesa mendojnë shumica e njerëzve. Por, pjesa më e madhe prej tyre nuk ndihen dhe nuk shkaktojnë pasoja.

 “Nuk do të kisha thënë se ka pasur veçanërisht shumë për momentin, përveç të gjitha pasgoditjeve në Turqi”, shtoi Musson.

Sipas Qendrës Kombëtare të Informacionit për Tërmetet, regjistrohen rreth 20,000 tërmete në mbarë botën çdo vit, ose afërsisht 55 në ditë, megjithëse ndodhin vetëm rreth 16 tërmete të mëdha në vit. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos