Situata e bashkive, Farici: Më e mirë se para reformës, por duhen bërë korrigjime për të adresuar problematikat

Nga A2 CNN
3 Dhjetor 2021, 20:45 | Ekonomi
Situata e bashkive, Farici: Më e mirë se para reformës, por duhen

Bashkitë shqiptare, të formuara 6 vite më parë sipas skemës së reformës territoriale që i dha lamtumirën komunave të dikurshme, kanë patur mënyrë të përjetojnë vite të vështira, veçanërisht ato të fundit ku pasojave të tërmetit ne disa territore iu bashkuan masat kundër pandemisë ne gjithë territorin.

Sipas Adelina Faricit, e Shoqatës për Autonomi Vendore, gjendja e sotme gjithsesi duket “më e mirë se çka qenë para reformës vendore. Vit pas viti gjendja vjen drejt përmirësimit, e tregojnë studime të ndryshme. Kjo vjen nga fakti që të ardhurat e mbledhura nga qeveria vendore ka ardhur në rritje. Gjithsesi, kjo nuk është diçka shumë e kënaqshme, sepse  pavarësisht rritjes së të ardhurave, ende nuk mund të flasim për autonomi financiare për administratat vendore”.

Farici nënvizon gjithsesi një situatë jo proporcionale mes tyre. “Bashkia e Tiranës zë peshën më të madhe sepse  ka veçori të ndryshme dhe ne prej kohesh kërkojmë që të trajtohet me status të veçantë. Te tjerat janë bashki të mëdha, të mesme dhe të vogla. Këto të fundit kanë pamundësi financiare për ofrimin me standarde të një shërbimi, mundet që ky shërbim të mbetet qendror deri sa bashkia të ketë një situatë financiare që mund ta përballojë”.  

Një problematikë madhore e pushtetit vendor është trashëgimia e borxheve. “Ka qenë 11.8 miliardë, tani janë rreth 6.4 miliardë. Kjo do të thotë që bashkitë kanë zvogëluar borxhin, por mbetet një barrë e rëndë për këto bashki. Ne si Shoqatë për Autonomi Vendore kërkuam te Ministria e Financës por edhe në komisionin përkatës që të shikohet mundësia e borxheve të trashëguara, ku kërkojmë zhveshje nga borxhet e mbartura”.

Sipas saj, vetë bashkitë duhet te jenë të përgjegjshme për financat, që mos të gjenerojnë borxhe të reja, edhe pse duhet pranuar se “viti 2020 ka qenë i vështirë për gjithë qeverisjen vendore dhe pushtetin lokal, duke detyruar bashkitë që të siguronin nevojat emergjente. Dhe kjo mund të ketë ndikuar në një rritje të vogël të borxhit, por ky borxh parashikohet të shlyhet në një periudhë afatgjatë”.

Përfundimisht, sipas saj reforma territoriale ka treguar se ka patur efekte pozitive në  “rritjen e buxhetit dhe në ofrimin e disa shërbimeve, si dhe në përfshirjen e qytetarëve në pjesëmarrje”, pa mohuar se   “ka edhe problematika që duhen adresuar në një korrigjim që duhet t’i bëhet reformës”. (A2 Televizion)

A2 CNN Livestream

Latest Videos